Një zemërim publik rreth ekstremizmit islamik ka përfshirë të gjithë Evropën 2 muajt e fundit. Në fillim, presidenti francez Emmanuel Macron paraqiti planin e tij me 5 pika për të luftuar “separatizmin islamik”.
Pastaj, sulmet terroriste goditën Parisin, Drezdenin, Nisën dhe Vjenën. Midis tyre akti më brutal ishte vrasja me prerje koke e Samuel Paty. Këto sulme nxitën një deklaratë të përbashkët nga ministrat e Brendshëm dhe zyrtarët e BE-së mbi luftën kundër terrorizmit. Debati publik mbi terrorizmin, është aktualisht plot me ide të rrezikshme dhe potencialisht kundër-produktive, dhe po shmang idetë më të sigurta dhe produktive. Ndër nismat e propozuara, është krijimi i një instituti evropian për trajnimin e imamëve, një ide e promovuar nga Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.
Projekti përfaqëson haptazi një mungesë respekti ndaj institucioneve ekzistuese islamike në Evropë. Por gjithashtu kjo ide është jopraktike, pasi feja e kontrolluar nga shteti krijon sërish ekstremizëm, siç mund të shihet në disa vende me shumicë myslimane.
Për shembull, shteti egjiptian e ka goditur fenë që nga vitet 1950. Ai ka trajnuar dhe licencuar imamët, dhe ka diktuar lutjet e së Premtes. Rezultati ka qenë një luftë gati e vazhdueshme midis shtetit dhe ekstremistëve,e cila çon drejt një autoritarizmit më të madh të liderëve shtetërorë, dhe nga ana tjetër prodhon një reagim ekstremist më intensiv, si pjesë e një cikli vicioz.
Kjo, sepse feja e kontrolluar nga shteti nuk ka besueshmëri dhe vërtetësi. Ajo i nxit besimtarët të ndjekin ato rrugë që u duken si burimet më origjinale të frymëzimit fetar, siç janë ato të siguruara nga tele-evangjelistët e famshëm në Perëndim.
Në vend se të kërkojnë përgjigje fetare në xhamitë zyrtare të kontrolluara nga shtetet, shumë myslimanë do të kërkojnë përgjigje në internet, tani shtëpia më e madhe në botë e fetarë ve. Dhe ai nuk është i kontrollueshëm. Prandaj, vetëm udhëheqësit dhe institucionet fetare lokale të besueshme, mund të jenë ndikuesit që kërkon Bashkimi Evropian.
Dhe këto institucione nuk mund të ndërtohen përmes fondeve kundër terrorizmit. Udhëheqësit evropianë, duket se akoma kuptojnë shumë pak mbi fetë, ne veçanti mbi Islamin. Paul Tillich, filozof dhe teolog gjermano-amerikan, e përshkroi dikur fetarizmin si një çështje të “shqetësimit të fundit”.
Ajo që donte të thoshte, është se qëndrimet fetare janë jashtëzakonisht të vështira për t’u negociuar ose kontrolluar, por ato ndikojnë fuqimisht në vendime dhe politika. Pak para se të linte detyrën si përfaqësuese e lartë për politikën e jashtme dhe të sigurisë në BE, Federica Mogherini, bëri një përpjekje të fundit për t`a ndihmuar Brukselin të kuptojë qëndrimet fetare, përfshirë ato të Islamit.
Ajo ndërtoi një platformë të quajtur Shkëmbimi Global i Fesë në Shoqëri. Por nuk pati sukses. Politikisht, është me pasoja fakti që Islami“është feja më protestante se gjithë fetë e tjera, se ajo është në një reformim të përhershëm”, siç vëren Ernest Gellner.
Ai vazhdimisht ndryshon formë dhe i shpëton dogmës. “Plasticiteti” i Islamit mund të ketë pasoja pozitive shoqërore dhe politike:tashmë është zhvilluar një Islam Evropian, i përshtatshëm për sistemet demokratike, që kanë një liri të plotëtë fesë dhe besimit.
Asgjë nuk është më e favorshme për radikalizmin,sesa ndjenja e një ambienti politik armiqësor. Megjithatë narrativa e promovuar nga Macron, Michel dhe ministrat e Brendshëm të BE-së krijon pikërisht atë. Zgjedhja e Islamit, çon në atë që sociologu i ndjerë Zygmunt Bauman e quan “adiaforizim” të myslimanëve:trajtimi i tyre si njerëz të çuditshëm, të cilët nuk i kuptojnë “vlerat tona” apo shekullarizmin, që nuk mund të integrohen në shoqëri dhe që janë të prirur për radikalizim dhe dhunë.
Mjafton të lexosh studimin e Vincent Geisser, për të parë se sa ndryshe është realiteti. Për shembull në Francë, shumica e myslimanëve janë të integruar mirë në aspektin kulturor dhe shoqëror, ndërsa 70 për qind e tyre mendojnë se ata mund t’a praktikojnë lirisht Islamin.
Macron është i saktë në diagnozën e tij mbi shkaqet e radikalizimit të dhunshëm: ndikimi i jashtëm financiar, getoizimi, dhe mbështetja e dobët e shtetit në zonat e varfra. Por zgjidhja kryesore qëndron në llojet e iniciativave që janë tashmë në lëvizje në Evropë.
Në Danimarkë, modeli i anti-radikalizimit dhe de-radikalizimit në Aarhus, duket se po funksionon mirë. Për shembull, numri i luftëtarëve të huaj që po ikin nga vendi, është ulur ndjeshëm çdo vit që nga fillimi i programit.
Duke u mbështetur në strukturat lokale, ky model përfshin një rrjet të gjerë prindërish, punonjësish socialë, mësuesish, punëtorë të klubeve rinore dhe oficerëve të policisë, të cilët janë trajnuar të përgjigjen kur hasin një person që mund të jetë i radikalizuar.
Projekti bashkë-organizohet nga Departamenti i Psikologjisë dhe Shkencave të Sjelljes në Universitetin Aarhus. Qëllimi i tij është të ri-drejtojë aktivizmin potencialisht të dëmshëm larg radikalizmit, dhe drejt rrugëve të tjera duke përqafuar përfshirjen:pjesëmarrje kuptimplotë në jetën e përbashkët kulturore dhe shoqërore.
Ekipi i Aarhus është në kontakt të rregullt me komunitete, organizata dhe xhami të ndryshme myslimane. Më interesant është fakt që modeli i Arhusit, mbështetet në një supozim shkencor se të gjitha qeniet njerëzore – pavarësisht nga gjinia, feja, prejardhja kulturore, historia e jetës ose situata shoqërore – përballen me të njëjtat detyra themelore në jetë. Ndjenjat e përfshirjes dhe barazisë, i japin atyre mundësi t’i kryejnë këto detyra kur jeta e tyre përballet me vështirësi.
Gjëja e fundit që duhet të bëjnë liderët evropianë, është të mos u forcojnë myslimanëve ndjenjat e përjashtimit, pasi kjo do të rrezikonte më tej kohezionin shoqëror. Më e mira që mund të bëjnë është të zbatojnë zgjidhje të zgjuara të tilla si modeli i Aarhusit në një nivel lokal. Zgjidhje të tilla kërkojnë kohë, përpjekje dhe studime, po që të gjitha ato ia vlejnë.