MENU
klinika

REL/ Mungesa e shtetësisë

Të padukshmit e Maqedonisë së Veriut

20.12.2020 - 18:57

Maqedonia e Veriut nuk ka shifra të sakta të qytetarëve që janë pa shtetësi, ndërkohë që pjesa më e madhe e tyre që thonë se nuk kanë shtetësi, kanë lindur në këtë shtet dhe jetojnë në Maqedoni të Veriut.

Njëri nga ta është Driton Sherifi, 39-vjeçar, i cili ka lindur dhe punon në Kumanovë, por pa u pajisur me dokumentin e shtetësisë, ai për sistemin mbetet i padukshëm.

Dritoni tregon për Radion Evropa e Lirë se me vite ka bërë kërkesa në departamentin për punë të brendshme dhe ka siguruar edhe dokumentet e nevojshme, në mënyrë që ta fitojë shtetësinë, por, siç thotë ai, shtetësia i është mohuar pa asnjë shpjegim.

Së fundmi, ai është detyruar që fëmijët t’i regjistrojë me mbiemrin e bashkëshortes, që të paktën ata të mos kenë probleme me shtetësi dhe të mund të vijojnë shkollimin.

“Djali im i madhi tash i bën 17 vjet, por ende e mban mbiemrin e bashkëshortes. Përpara s’kam mundur të kurorëzohem me bashkëshorten sepse nuk posedoj letërnjoftim”, thotë Dritoni.

Ai shton se ndonëse me vite të tëra punon si mekanik, stazhi i tij i punës nuk njihet, pasi ai nuk posedon dokumente.

“Së fundmi, jam lodhur. Derisa kërkoja që ta marr shtetësinë e Maqedonisë para tetë vjetësh, pasi e mblodha dokumentacionin e duhur, plotësova të gjithë formularët, kur erdhi puna t’i dorëzoja dokumentet më thanë ‘jo s’mund ta marrësh shtetësinë, kjo është procedurë e gjatë’. Ndërkohë, unë i dhashë paratë e fundit që t’i mbledh të gjitha dokumentet e duhura për shtetësinë”, tregon ai.

Ndërkohë, Afrim Sefedini, në të dyzetat, ka arritur ta marrë shtetësinë e Maqedonisë së Veriut pas shumë kërkesash të bëra për më shumë se tri dekada.

Ai ka lindur në Maqedoni të Veriut, por prindërit i ka nga Kosova.

“Nuk u jepet shtetësia fëmijëve sepse thonë se prindërit tuaj nuk kanë lindur në Maqedoni, megjithëse ata shkollimin e kanë kryer këtu. Na është thënë se nëse asnjëri prind nuk ka shtetësi të Maqedonisë, ne nuk mund të marrim vendqëndrim”, thotë Afrimi.

Ai tregon se shtetësinë maqedonase, për dallim nga anëtarët e tjerë të familjes, ka arritur ta sigurojë përmes bashkëshortes, e cila është shtetase e Maqedonisë së Veriut.

Mungesa e shtetësisë për vite të tëra, Afrimi thotë se i ka shkaktuar shumë probleme, pasi nuk ka pasur mundësi që të deklarohet si i punësuar në mënyrë që të gëzojë sigurimin pensional dhe atë shëndetësor.

“Më shumë se dhjetë vjet kam punuar në një pompë të benzinës, por nuk kam qenë i lajmëruar (si punëtor) sepse nuk kam pasur letërnjoftim, shtetësi, etj”, tregon ai.

Ndërkaq, Bejnaze Ahmeti, që është në të 70-tat, thotë se për pesë dekada me radhë ka bërë kërkesa për të fituar shtetësinë, por kërkesat i janë refuzuar pa asnjë arsyetim. Ajo është nga Presheva, por është e martuar në Kumanovë, dhe nuk ka arritur që as përmes bashkëshortit të saj ta fitojë shtetësinë.

Mungesa e shtetësisë po bën që Bejnazja, e cila është e sëmurë, të detyrohet të mjekohet në klinika private, të cilat janë të kushtueshme, pasi ajo nuk gëzon sigurimin shëndetësor.

Së fundmi, koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, parti këto shqiptare në opozitë, kanë iniciuar një nismë për ndryshimin e ligjit, mbi bazën e të cilit sigurohet shtetësia në Maqedoni të Veriut.

Përmes këtyre ndryshimeve ligjore, opozita shqiptare po synon që të gjithë personat që kanë qenë shtetas të ndonjërit nga shtetet e ish-Federatës Jugosllave, të cilët deri më 8 shtator të vitit 1991 (dita e pavarësisë së Maqedonisë së Veriut), kanë jetuar në territorin e Maqedonisë së Veriut, mund të kërkojnë shtetësinë maqedonase, duke marrë deklaratat e tre dëshmitarëve.

“Propozimi ynë është që prej 8 shtatorit të vitit 1991, kur Maqedonia e Veriut, atëherë Maqedonia, ka shpall pavarësinë e saj, të gjithë qytetarët e ish-Federatës së Jugosllavisë që kanë qenë banorë të këtij shteti, me automatizëm duhet t’u takojë shtetësia e Maqedonisë së Veriut”, tha Elmi Aziri, deputet i koalicionit të Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës.

Ndryshe nga autoritetet shtetërore, që thonë se nuk kanë të dhëna, partitë politike opozitare thonë se janë rreth 70 mijë qytetarë që janë pa shtetësi, e që jetojnë në Maqedoninë e Veriut.

Ndërkaq, nga Ministria e Punëve të Brendshme nuk kanë dhënë shifra të sakta të personave që nuk kanë shtetësi.

“Kemi disa përllogaritje sa i takon numrit të personave që nuk kanë shtetësi, por nuk janë numra të detajuar. Kur të jemi të përgatitur në tërësi, sa i takon rregullativës ligjore dhe nevojës për zgjidhjen ligjore, atëherë në detaje do të tregojmë se si do të ndryshojë ligji”, ka thënë ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.

Por, ish-ministri i Bredshëm, Pavle Trajanov, i cili aktualisht është deputet, thotë mënyra se si po kërkon opozita shqiptare për pajisjen me shtetësi, mund të nxisë konflikt në vend.

“Mendoj se është shumë e papërgjegjshme që përmes tre dëshmitarëve të verifikohet që një person i caktuar ka jetuar në këtë shtet që nga viti 1991. Në këtë mënyrë përmes dëshmitarëve disa u bënë partizanë pa luftuar fare vetëm e vetëm që të gëzojnë përfitime të caktuara. Sipas meje ideja kryesore nuk është që ata persona të pajisen me shtetësi maqedonase, por që në opinion të paraqitet se të njëjtëve u është bërë padrejtësi dhe ja partitë politike i mbrojnë interesat e tyre dhe ja prej ku mund të burojë konflikti ndëretnik. Pra, në këtë mënyrë krijohet hapësirë për konflikt ndëretnik dhe kjo nuk është mirë”, thotë Trajanov.

Edhe më i ashpër ka qenë kryetari i së majtës, Dimitar Apasiev, deputet në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, i cili e ka quajtur “veprim shovinist” nismën e partive shqiptare në opozitë.

“Në mënyrë artificiale mundësohet që 70 mij kosovarë të marrin shtetësinë e Maqedonisë”, ka shkruar në profilin e tij në Facebook, Dimitar Apasiev./ REL.

“Për 4 vite në pushtet shpiku idenë e kombit kosovar”

Kreshnik Spahiu: Kurti harroi premtimet

"U kthye në një sebep që shoqëria të futej në përleshje se kush e ka fajin"

Vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani, kryeministri Rama: S’mund të parandalohet të gjitha ngjarjet

Kryqëzimet kryesore në Tiranë që do të bllokohen

Protesta e PD-së më 23 Dhjetor, zbardhet plani i opozitës!

Arabia saudite paralajmëroi autoritetet gjermane për 50-vjeçarin, por…

Mjeku përplasi turmën e njerëzve në tregun e Krishtlindjes, shkon në 4 numri i viktimave!

Aktiviteti do të ushtrohet në zona të caktuara që do të jepen me qira!

Nga 2025 lejohet gjuetia, çfarë parashikon vendimi!