Administrata Trump u dha më në fund një ftesë ekipeve të tranzicionit të Presidentit të zgjedhur Joe Biden për të ngritur zyra nëpër shumë agjenci federale të SHBA. Por njerëzit e Biden po e refuzojnë ofertën.
Nga Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar te Departamenti i Mbrojtjes, zyrat e tranzicionit të administratës së ardhshme janë të pajisura me aparate kafeje, kompjuterë dhe pajisje zyre që kryesisht nuk përdoren, pasi ekipet e Biden preferojnë të bashkëveprojnë përmes ‘’Google Hangouts’’, ‘’Zoom’’ dhe video konferencave të koduara. Anëtarët e ekipit të Biden kanë frikë se takimi me zyrtarët e Trump personalisht gjatë një pandemie në të cilën presidenti dhe ndihmësit e tij kanë hedhur poshtë në mënyrë të përsëritur udhëzimet e sigurisë mund të jenë të rrezikshme për shëndetin e tyre, ndërsa sigurojnë pak përfitime.
“Ata nuk afrohen në Shtëpinë e Bardhë,” tha për Foreign Policy një ish zyrtar i lartë i Trump që punon me ekipin e tranzicionit Biden. “Ju hyni në Shtëpinë e Bardhë dhe askush nuk mban maska dhe është thjesht e qartë se ata po përpiqen të bëjnë një lloj politike.”
Ish zyrtari i lartë i Trump që punon me ekipin e tranzicionit Biden tha se administrata e ardhshme kishte këmbëngulur në informime vetëm dixhitale me stafin e Shtëpisë së Bardhë, mes frikës se protokollet po injoroheshin nga ata që ishin më pranë presidentit. Këto shqetësime u përforcuan të Dielën, kur Presidenti Donald Trump shkroi në Tuitter se avokati i tij personal, ish Kryetari i Qytetit të Nju Jorkut Rudy Giuliani, ishte testuar pozitivisht për COVID-19, duke u bashkuar me mbi 40 anëtarë të administratës amerikane ose rrethit të ngushtë të Trump – përfshirë vetë presidentin – të cilët kanë kontraktuar koronavirusin, sipas një rezultati të përpiluar nga Neu York Times. Dhe një tjetër avokat i lartë i Trump, Jenna Ellis, thuhet se doli pozitive për koronavirusin pasi shkoi në një festë të Krishtlindjeve në Shtëpinë e Bardhë javën e kaluar pa maskë.
“Presidenti, zyrtarët e tij të lartë, përfshihen në sjellje të gabuara, të cilën të gjithë ekspertët e shëndetit publik thonë se është e papërgjegjshme dhe e rrezikshme”, tha një ish zyrtar amerikan i cili ka qenë në kontakt me ekipin në tranzicion. “Nëse do të isha në tranzicion do të shqetësohesha shumë. Unë sigurisht nuk do të shkoja në festat e Krishtlindjeve të Departamentit të Shtetit, gjë që mund të kisha bërë në një tranzicion të mëparshëm.”
Tranzicioni virtual pasqyron qasjen më të mençur të Biden ndaj pandemisë sesa administratës Trump. Trump ka minimizuar në mënyrë të përsëritur kërcënimin nga virusi, i cili ka vrarë më shumë se 284,000 amerikanë deri më tani dhe infektuar më shumë se 14 milion të tjerë. Por gjithashtu pasqyron një ankth në kampin e Biden rreth ndërveprimit direkt me përfaqësuesit e një presidenti i cili ka pritur evente në Shtëpinë e Bardhë dhe tubime masive të fushatës që u kthyen në ngjarje të përhapura.
Me koronavirusin që vazhdon të përhapet i pakontrolluar në të gjithë vendin ekspertët thanë se ekipi i Biden tashmë po kërkon të vendosë në kontroll dëmet në vend që të presë një shpërndarje të qetë nga administrata në largim e Trump.
“Ky nuk është një tranzicion normal,” tha Richard Gouan, një ekspert i Kombeve të Bashkuara në Grupin Ndërkombëtar të Krizave. “Është më shumë si zjarrfikës që hyjnë në një shtëpi të djegur pas një zjarri për të parë se çfarë mbetet e padëmtuar nga ana strukturore. Dhe për çështje si Irani, administrata aktuale është ende duke u përpjekur të fillojë edhe disa zjarre të vogla”.
Shqetësimet e infeksionit nuk janë të kufizuara në ndërveprimet me Shtëpinë e Bardhë.
Ekipi i Biden zhvilloi 21 intervista me udhëheqës të lartë ushtarakë dhe civilë të Pentagonit që nga java e kaluar, sipas një zyrtari të lartë të mbrojtjes, duke përfshirë me Kryetarin e Shefave të Përbashkët të Shtabit Mark Milley dhe nënkryetarin, Gjeneral John Hyten, dhe kanë gati 50 më shumë takime këtë javë, duke përfshirë me Zëvendës Sekretarin e Mbrojtjes David Norquist. Ndërsa ekipi i Biden është pajisur me hapësira pune në Pentagon, ata janë duke përdorur zyrat “në një shumë minimale” dhe duke kërkuar deri në 90 përqind të takimeve të tyre të jenë virtuale, tha zyrtari i lartë. Shumica e informimeve kanë qenë mbi përgjigjen e COVID-19, dhe personeli dhe gatishmëria, pritet të jenë pikat kryesore për Biden.
Departamenti i Mbrojtjes gjithashtu ka siguruar 1,500 faqe materiale informuese në tabletët Microsoft, përfshirë librat e tranzicionit, skemat organizative dhe planet e emergjencës. Ekipi i tranzicionit Biden po merr gjithashtu azhurnime të klasifikuara nga Milley, oficeri i lartë ushtarak i SHBA dhe buxhetet sekrete për agjencitë e inteligjencës. Shumë takime po zhvillohen përmes telekonferencave të siguruara në sistemet e klasifikuara, thanë zyrtarë të lartë të mbrojtjes.
Zyrtarë të lartë të mbrojtjes thanë se Pentagoni ka punuar me ekipin e tranzicionit Biden, i njohur si ekipi i rishikimit të agjencisë, pasi Administrata e Shërbimeve të Përgjithshme lejoi që tranzicioni të shkonte përpara muajin e kaluar, duke filluar dialogun atë natë përmes postës elektronike dhe duke filluar takimet virtuale mëngjesin tjetër. “Ekipi i rishikimit të agjencisë ka kërkuar një preferencë për takimet video telekonferencë kundrejt personalisht,” tha një zyrtar. “Ata kanë kërkuar takime virtuale për pothuajse të gjitha intervistat që kanë kryer deri më tani.”
Javën e kaluar, ekipi i zbarkimit i Biden u takua në distancë me udhëheqjen e USAID, duke përfshirë administratorin e përkohshëm të agjencisë, John Barsa, një i emëruar politik i cili kohët e fundit doli pozitiv për COVID-19 dhe i cili po bën karantinën në shtëpi. Barsa thuhet se gjithashtu kishte një reputacion për të shmangur maskat, sipas Uashington Post. “Nuk ka pritje të informimeve personale”, tha një zyrtar amerikan.
Kalimi në presidencën e Biden tashmë është tensionuar nga sfida të papara, përfshirë refuzimin e Trump për të pranuar humbjen e tij elektorale. Për javë pasi Biden u shpall fitues i zgjedhjeve të vitit 2020, puna rutinore e tranzicionit u vonua pasi Administrata e Shërbimeve të Përgjithshme të Trump refuzoi tëndihmojë procesin zyrtar të tranzicionit derisa rezultatet e zgjedhjeve të bëheshin më të qarta. (Më 23 nëntor, Trump autorizoi agjencinë që më në fund të fillojë procesin e tranzicionit).
“DoD dhe lidershipi i tij në tranzicion po bashkëpunojnë plotësisht me ekipin e tranzicionit Biden, duke vendosur sigurinë kombëtare dhe mbrojtjen e popullit Amerikan në krye të çdo diskutimi,” tha në një deklaratë të Sekretari i Përkohshëm i Mbrojtjes Christopher Miller të Shtunën.
Përkthyer dhe përshtatur nga foreign policy/ F.H, konica.al