Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar i ka dhënë gjigandit farmaceutik Pfizer, të drejtën për përdorim emergjent të vaksinës së saj në vend, duke u bërë i pari vend që i jep të drejtë të shpërndajë vaksinën e saj në të gjithë vendin që në javën e ardhshme.
Departamenti i Shëndetit dhe Kujdesit Social ka konfirmuar ditën e djeshme gjithashtu se kompanisë i është dhënë imunitet i cili e mbron atë nga veprimet ligjore si rezultat i shfaqjes së ndonjë problemi me vaksinën.
Ministrat kanë ndryshuar ligjin në javët e fundit për t’u dhënë mbrojtje kompanive të tilla si Pfizer, nga paditja e pacientëve në rast të ndonjë ndërlikimi. Me imunitet janë gjithashtu edhe stafi i cili siguron vaksinën.
Vaksina do të jetë në dispozicion për këdo që është mbi 16 vjeç, por nuk do të jetë në dispozicion për gratë shtatzëna për shkak të mungesës së të dhënave se si mund të ndikojë tek ato dhe tek foshnjat.
Vaksina Pfizer / BioNTech u autorizua nga Agjencia Rregullatore e Barnave dhe Produkteve Shëndetësore të Martën, në bazë të rregullores 174 e cila lejon që një ilaç i pa licencuar të përdoret në rast urgjence siç është pandemia.
Në një konferencë shtypi me gazetarë të Mërkurën, Ben Osborn, drejtori i Pfizer në MB, refuzoi të shpjegonte pse kompania kishte nevojë për një dëmshpërblim.
Ai tha: “Ne nuk po zbulojmë asnjë nga detajet rreth aspekteve të asaj marrëveshjeje dhe posaçërisht rreth klauzolave të përgjegjësisë”.
I pyetur se kur do të publikohen të dhënat e plota për provën klinike të vaksinës, kompania tha se ishte ende duke u punuar.
Kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë Rregullatore të Barnave dhe Produkteve Shëndetësore (MHRA), tha se nuk kishte asnjë element që të bënte të dyshoje për sigurinë e vaksinës. Departamenti i Shëndetit dhe Kujdesit Social konfirmoi vaksina e Pfizer, së bashku me vaksinat e tjera të Koronavirusit, do të shtohen në Aktin e Pagesave të Dëmtimeve të Shkaktuara nga Vaksinat.