Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell pretendon se media ruse po përhapin informacione të rreme në lidhje me vaksinat evropiane dhe amerikane kundër COVID-19, në vendet ku Moska dëshiron të shesë të vetat.
“Prodhuesit e vaksinave perëndimore tallen haptas në mediat ruse shumëgjuhëshe të kontrolluara nga shteti, gjë që në disa raste ka çuar në pretendime absurde se vaksinat do t’i kthejnë njerëzit në majmunë”, shkroi Borrell.
“Thashethemet e tilla padyshim janë drejtuar vendeve ku Rusia dëshiron të shesë vaksinën e saj, Sputnik-V,” tha ai, duke shtuar se veprime të tilla kërcënojnë shëndetin publik mes pandemisë.
Moska ka mohuar vazhdimisht akuzat, duke thënë se Sputnik-V po shënjestrohet nga një fushatë e inteligjencës së huaj.
Fondi Rus i Investimeve të Huaja (RDIF), i cili është përgjegjës për marketingun e vaksinës jashtë vendit dhe Ministria Ruse e Shëndetësisë nuk kanë pranuar të komentojnë deklaratat.
Kur ndërmarrja farmaceutike AstraZeneca, e cila po punon me Universitetin e Oksfordit për të zhvilluar vaksinën e saj, ndaloi provat klinike në shtator për shkak të një sëmundje të pashpjegueshme të një vullnetari, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peshkov u tha gazetarëve se Sputnik-V është i besueshëm.
Javën e kaluar, Rusia dërgoi dozat e para të vaksinës në Argjentinë. Ajo ka nënshkruar gjithashtu marrëveshje me shumë vende të tjera të Amerikës Latine dhe Azisë. Të dy dozat e vaksinës ruse kushtojnë më pak se 20 dollarë për person.