Biden ka nevojë për një strategji të rëndësishme për të pastruar rrëmujën që krijoi Trump dhe për të rivendosur Amerikën në udhëheqjen e botës. Rikthimi në administratën e Obamës dhe në modelin e atëhershëm të qeverisjes nuk do të mjaftojë për të rivendosur besimin e amerikanëve në qeveri dhe besimin e shteteve të tjera tek Amerika. Si president i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden duhet të shikojë më tej, të synojë më lart dhe të veprojë edhe më shumë.
Është e rëndësishme për Biden të anulojë shumë nga politikat e Donald Trump, por kjo nuk do të fshijë trashëgiminë e tij ose nuk do të zhbëjë dëmin “në shpirtin e Amerikës”. Sigurisht jo kur ish-presidenti i egër dhe hakmarrës dhe aleatët e tij vazhdojnë të marrin pjesë në qeverisjen e vendit dhe janë ende pjesë e politikës.
Përpjekjet autoritare të Trump për të rivendosur supremacinë e të bardhëve fatmirësisht kanë dështuar keq, kryesisht sepse Amerika ka ecur përpara. Por ai arriti të shkaktojë aq shumë dëm në strukturën e shoqërisë amerikane dhe demokracisë sa që do të duhen vite për t’u rekuperuar të gjitha dëmet.
Kjo është arsyeja pse Biden do të duhet të hedhë hapat me kujdes, duke adresuar ankesat sociale dhe ekonomike të bazës republikane pa tjetërsuar bazën e tij Demokratike.
Demokratët kanë drejtuar prej kohësh dhe kanë fituar zgjedhjet me premtimin e pastrimit të rrëmujës Republikane.
Nga fitorja e Franklin D Roosevelt (FDR) në vitin 1933 mes Depresionit të Madh dhe ngritjes së John F. Kennedy në vitin 1961 pas recesionit ekonomik të viteve 1950, te triumfi historik i Barak Obamas pas luftës në Irak dhe rënies financiare të 2008, presidentët demokratë vazhdimisht janë përballur me sfidën e rivendosjes së Prosperitetit dhe udhëheqjes së SHBA-së në botë dhe deri diku ia kanë arritur qëllimit.
Një lexim i tillë selektiv i shekullit të kaluar mund të jetë tepër i drejtë, por asnjëherë demokratët dhe liberalët, përfshirë republikanët liberalë, nuk kanë treguar aq entuziazëm për kthimin e faqes ndaj një presidence republikane si sot.
Zgjedhjet e kabinetit të Biden tregojnë një shumëllojshmëri të madhe kulturore dhe gjinore, megjithëse nga brenda institucionit. Nëse politika formohet me të vërtetë nga emërimet zyrtare, administrata e re tregon disa premtime.
Sigurisht, shumë demokratë do të kishin dashur të shihnin Elizabeth Uarren dhe Bernie Sanders në administratën e re, por mendoj se Biden shpreson të punojë me republikanët tradicionalë dhe liberalë në mënyrë që t’i japë fund mendimit Trumpist që ndau vendin.
Kjo do të tjetërsonte shumë Demokratë Progresivë, por mund të zgjeronte potencialisht përçarjen brenda Partisë Republikane dhe të përmirësonte pozicionin e Demokratëve në zgjedhjet afatmesme. Biden tashmë është zotuar të anuloje nje mori të urdhrave ekzekutivë të Trump në ditën e tij të parë në detyrë, duke përfshirë heqjen e “Ndalimit të Muslimanëve” dhe ribashkimin e marrëveshjes së klimës në Paris. Ai gjithashtu do të përpiqet të lëvizë shpejt për të rregulluar rekordin e pandemisë vdekjeprurëse që erdhi si pasojë e mosreagimit të Trump duke lëshuar direktiva të reja për të luftuar koronavirusin.
Këto janë hapa të rëndësishëm që sinjalizojnë seriozitetin e tij për të kthyer faqen me epokën e Trump, por jo të mjaftueshme për të llogaritur me trashëgiminë e tij dhe për të trajtuar padrejtësitë shoqërore dhe racore të Amerikës që e ngritën atë në presidencë. Kjo është arsyeja pse Biden duhet të shkojë përtej asaj që bëri Obama pas viteve shkatërruese të presidencës së Bush. Ai duhet të hartojë një besëlidhje të re amerikane përgjatë linjave të Neu Deal të FDR dhe Shoqërisë së Madhe të Lyndon Johnson.
Ai mund të fillojë duke përqafuar dhe zbatuar një program të gjerë kombëtar që ndjek tre RDR të FDR: lehtësim për shumë të papunë përmes mbështetjes së drejtpërdrejtë të qeverisë; rimëkëmbja përmes investimeve më të mëdha në infrastrukturë dhe subvencioneve të tregut; dhe reforma e ekonomisë përmes rregulloreve dhe programeve të mirëqenies. Adresimi i varfërisë dhe pabarazisë është i domosdoshëm për të trajtuar çështjet më të thella dhe më të diskutueshme të tensioneve raciale dhe shoqërore që po ndajnë dhe paralizojnë Amerikën. Eshtë e panevojshme të thuhet, një Amerikë në luftë, e përçarë dhe e paqëndrueshme është një Amerikë e papërshtatshme për të udhëhequr botën. Tërheqja e saj, siç shkon klishe, nuk vjen vetëm nga shembulli i fuqisë së saj, por fuqia e shembullit të saj, si një superfuqi e qëndrueshme, demokratike dhe e prosperuar.
Pra, sapo Biden të rikthejë atë që ai e quan “shpirti i amerikanit” – civilizimin e tij demokratik, vitalitetin ekonomik dhe liberalitetin politik – ai do të jetë në gjendje të vazhdojë me rivendosjen e besueshmërisë së saj. Rivendosja e udhëheqjes amerikane do të kërkojë rindërtimin e aleancave, forcimin e institucioneve globale dhe përkrahjen e marrëveshjeve ndërkombëtare, të cilat Trump i braktisi. Për fat të keq, shumë midis aleatëve të Amerikës, si partnerët e saj Evropianë dhe Azia Jugore, tashmë kanë ecur përpara. Ata kanë filluar të formojnë strukturat e tyre autonome të sigurisë dhe disa madje kanë nënshkruar marrëveshje të reja tregtare me Kinën.
Megjithëse ata janë të kënaqur me ndryshimet në Uashington dhe me Amerikën që rigjenerohet me botën në një mënyrë të përgjegjshme diplomatike, aleatët më të ngushtë të Amerikës nuk do të nxitojnë të përqafojnë udhëheqjen e SHBA si në të kaluarën dhe nuk do të ndikohen nga thjesht biseda të ëmbla ose siguri boshe. Biden do të duhet të punojë më shumë se paraardhësit e tij për të rifituar besimin e tyre. Ai gjithashtu do të duhet të pranojë marrëdhënie më të drejta transatlantike dhe transparente të bazuara në respekt të ndërsjellë dhe interes të përbashkët.
Këto aleanca janë të domosdoshme që Amerika të merret me, për të mos thënë qëndruar, me një Kinë në rritje dhe Rusinë e inkurajuar, dy sfidat e saj më të mëdha në dekadat e ardhshme. Kur bëhet fjalë për politikën e fuqisë së madhe, Biden do të duhet të rivendosë atë që e dalloi Amerikën nga rivalët e saj, megjithëse në disa raste në mënyrë selektive dhe cinike, d.m.th. theksin e saj mbi promovimin e të drejtave të njeriut dhe vlerave demokratike. Dhe askund nuk është kjo aq urgjente sa në Lindjen e Mesme, ku administrata Trump ka braktisur gjithçka që është politikisht e ligjshme, e mirë dhe njerëzore.
Biden duhet t’i vendosë të drejtat e njeriut në qendër të politikës rajonale të Amerikës. Kjo fillon duke bërë presion ndaj klientëve të Amerikës, Arabisë Saudite dhe Izraelit, për t’i dhënë fund luftës në Jemen dhe okupimit të Palestinës, respektivisht. Kthimi në marrëveshjen bërthamore të Iranit është i lavdërueshëm dhe i domosdoshëm, por ai duhet të shkojë dorë për dore me sigurimin e respektit iranian për të drejtat e njeriut dhe normat ligjore. Si superfuqi kujdestare e vetë-emëruar e rajonit, Amerika mban përgjegjësinë për luftërat civile në Siri dhe Libi.
Biden thotë se Amerika formohet nga një betejë e vazhdueshme midis engjëjve të saj më të mirë dhe impulseve më të errëta. Kjo është e vërtetë edhe për politikën e jashtme. Është koha që engjëjt e saj më të mirë të mbizotërojnë në Amerikë dhe më gjerë.
Përkthyer dhe përshtatur nga Aljazeera/ F.H, Konica.al