Shtetet e Bashkuara dhe disa shtete evropiane kanë kërkuar lirimin e politikanit të opozitës Alexei Navalny nga paraburgimi rus.
Navalny, 44 vjet, u arrestua nga policia menjëherë pasi avioni i tij nga Gjermania zbarkoi në Moskë të dielën.
Ai po kthehej në vend pesë muaj pas atentatit me një sulm me agjent nervor, tentative për ta helmuar, veprim për të cilin ai fajësoi autoritetet ruse.
Qeveria e Presidentit Vladimir Putin mohon helmimin e Navalny. Akuzat e politikanit të opozitës janë mbështetur megjithatë nga raportet e gazetarëve investigativë.
Duke reaguar ndaj arrestimit të tij, SH.B.A. dhe BE bënë thirrje që Navalny, një kritik i Presidentit Putin, të lirohet, por nuk u njoftua ndonjë masë ndëshkuese ndaj qëndrimit të Putin.
Sekretari i Shtetit i SHBA, Mike Pompeo, tha se autoritetet ruse po përpiqeshin të shmangnin kritikat ndaj tyre. Ai bëri thirrje për “lirimin e menjëhershëm dhe të pakushtëzuar” të Navalny.
“Liderët politikë të pastër nuk kanë frikë nga zërat konkurrues, as nuk dhunojnë dhe ndalojnë padrejtësisht kundërshtarët e tyre politikë,” tha Pompeo.
Këshilltari i ardhshëm i sigurimit kombëtar të Presidentit të zgjedhur, Joe Biden foli me një ton të ngjashëm. “Sulmet e Kremlinit ndaj Navalny nuk janë vetëm një shkelje e të drejtave të njeriut, por një fyerje ndaj popullit rus që dëshiron të dëgjohet zëri i tyre,” tha Jake Sullivan.
Reagimi nga Bashkimi Evropian ishte jo më pak i ashpër, me Francën, Italinë dhe presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, që kërkuan gjithashtu lirimin e Navalny.
Në deklaratën e saj, qeveria e Mbretërisë së Bashkuar tha se ishte “thellësisht e shqetësuar” nga arrestimi i tij, duke shtuar:
“Në vend që të përndjeknin viktimën e këtij krimi të tmerrshëm, autoritetet ruse duhet të hetojnë se si një armë kimike u përdor në tokën ruse”.
Çfarë ndodhi para arrestimit?
Kur Navalny u helmua gushtin e kaluar gjatë një fluturimi në Siberi, ai u dërgua në Gjermani për trajtim urgjent mjekësor. Pasi u shërua, ai tha se kishte ndërmend të kthehej në Rusi.
Dje ai e mbajti atë premtim duke marrë një avion të Pobeda Airlines në Berlin, megjithë paralajmërimet se do të përballej me arrestimin në ulje.
Aeroplani ishte i mbushur me gazetarë, përfshirë Andrey Kozenko të Shërbimit Rus të BBC. Pak para uljes, piloti njoftoi se për “arsye teknike”, aeroplani po devijohej nga aeroporti Vnukovo, ku ishin mbledhur mijëra mbështetës të Navalny, në aeroportin Sheremetyevo, duke shkaktuar trazira mes pasagjerëve.
“Unë e di që kam të drejtë. Nuk kam frikë nga asgjë”, tha Navalny gjatë uljes, vetëm disa minuta para se të arrestohej. “A keni pritur për mua gjatë?” pyeti ai rojet e kufirit.
Ai puthi gruan e tij Julia e cila kishte udhëtuar me të nga Gjermania pasi oficerët e policisë paralajmëruan se do të përdornin forcë fizike nëse ai nuk u bindej urdhrave të tyre për të shkuar me ta.
Pavarësisht lutjeve, avokati i Navalny nuk u lejua ta shoqëronte atë. Aktivisti më vonë u dërgua në një stacion policie në Moskë, ku kaloi natën.
Cila ishte arsyeja për ndalimin e tij?
Në një deklaratë të dielën vonë, shërbimi i burgut rus tha se udhëheqësi i opozitës “ishte i kërkuar që nga 29 dhjetori 2020 për shkelje të përsëritura të periudhës së provës”. Ai shtoi se ai do të qëndronte në paraburgim deri në një vendim gjykate.
Autoritetet e akuzojnë atë për shkelje të kushteve të vendosura pas një dënimi që ai gjithmonë ka thënë se ishte një çështje e motivuar politikisht.
Veçmas, prokurorët rusë kanë filluar një çështje të re penale kundër Navalny për akuza mashtrimi në lidhje me transferimin e parave për bamirësi, përfshirë Fondacionin e tij Anti-Korrupsion.
Përkthyer dhe përshtatur nga bbc/ F.H, Konica.al