Faza e parë e Fiskalizimit ka nisur tashmë më 1 janar të 2021, faza që përfshin marrëdhëniet midis etneve publike dhe bizneseve.
Ministrja Denaj dhe kreu i Tatimeve, Ibrahimaj po zhvillojnë një tur takimesh në të gjitha qytetet kryesore të vendit, me shoqatat e bizneseve me përfaqësuesit e tyre me qëllim që të kuptojnë problematikat që mund të kenë bizneset apo barrierat që mund të kenë bizneset për procesin e fiskalizimit.
Radhën sot e kishte qyteti i Elbasanit. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj, si dhe Prefekti i Elbasanit Klevis Xhoxhi zhvilluan një tryezë konsultimi me përfaqësues të shoqatave të biznesit për procesin e Fiskalizmit.
Gjatë këtij takimi, ministrja Denaj shpjegoi rëndësinë që ka reforma e Fiskalizimi, një proçes që synon zvogëlimin e evazionit fiskal në transaksionet me dhe pa para në dorë. Në procesin e Fiskalizimit, të gjitha transaksionet (faturat) raportohen në kohë reale në Administratën Tatimore.
“Risitë digjitale na ndihmojnë sot për të vendosur përpara disa sisteme, disa protokolle të cilat në gjuhën më të thjeshtë janë pjesë e fiskalizimit. Fiskalizimi është një “Software idea”, që ndihmon edhe bizneset, edhe administratën tatimore të lexojnë të dhënat, të cilat procesohen, si në raport me entet publike dhe bizneset kur ato kanë marrëdhënie me njëra – tjetrën, biznes me biznese kur kanë marrëdhënie nëpërmjet llogarive bankare apo marrëdhënia “cash” me konsumatorin kur ndodh në sportele apo në forma të tjera”, tha ministrja.
Sipas saj, është një reformë e cila do kohën e saj për t’u kuptuar dhe adaptuar, do të bëhet në disa faza.
Ndërsa Drejtorja e Përgjithshme e Tatimeve, Ibrahimaj, shpjegoi anën teknike të funksionimit të këtij procesi, ku vetëm për janarin, sipas saj, procesi i fiskalizimit filloi në rreth 1.200 ente publike dhe 7.600 tatimpagues.