Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj së bashku me Drejtorin e Drejtorisë Rajonale të Tatimeve, Berat, Stavri Ceca zhvilloi një takim me përfaqësues të enteve publike ku u shpreh se, ka ardhur koha që të kemi një administratë me sisteme dhe ligje, të cilat janë shumë afër atyre vendeve që ne aderojmë për tu integruar.
“Ka ardhur koha që ne të kemi një administratë me sisteme dhe ligje, të cilat janë shumë afër atyre vendeve që ne aderojmë për tu integruar. Çka do të thotë që, ne nuk do të shohim më tatimorë nëpër kafene dhe kjo lidhet sa me avancimin në teknologji, aq edhe me nismat që ka marrë qeveria shqiptare vitin e kaluar që, biznesi me një qarkullim deri në 14 milionë lekë tatim fitimin e ka zero dhe është rritur pragu i TVSH-së nga 2 në 10 milionë lekë. Çka e bën që 2/3 e bizneseve në të gjithë vendin të punojnë të qetë në aktivitetin e tyre”, u shpreh Denaj.
Ceca shtoi se, në qytetin e Beratit janë 77 ente publike, të cilat do veprojnë me fiskalizimin.
“Dua t’ju informoj se ne kemi këtu 77 ente publike, të cilat do veprojnë me fiskalizimin dhe në fazën e parë kemi gati 242 subjekte, ku këto subjekte janë trajnuar 100%. Ne kemi zhvilluar rreth 13 trajnime. Drejtoria Tatimore Beratit i ka asistuar edhe drejtorët për kalimin e faturës elektronike. Fillimisht kanë qenë hapat e parë, me pak vështirësi, por gjithsesi nga trajnimet që kemi bërë me drejtorët, me titullarët, me shefat e financës kjo situatë e ka kaluar”, bëri me dije drejtori i tatimeve, Berat.
Që prej 1 janarit ka një detyrim ligjor për të mos pranuar fatura, të cilat nuk janë të fiskalizuara.
Janë 3 faza, faza e parë, bizneset që kanë marrëdhënie me entet publike fiskalizohen dhe në vijim bashkë me certifikatën elektronike mundësojmë lëshimin e faturës elektronike. Faza e dytë fillon në 1 korrik dhe është marrëdhënie e bizneseve me njëri-tjetrin, por për ato transaksione që kalojnë nëpërmjet llogarive bankare dhe faza e tretë, në 1 shtator marrëdhëniet me para në dorë, ato që në fund kompletojnë të gjithë procesin.