Kuvendi u mblodh sot në një seancë plenare ku u diskutuan tema me rëndësi si ligji për disa ndryshime në buxhetin e shtetit.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, gjatë prezantimit të Aktit Normativ nr. 34 –Buxheti 2020, theksoi se Qeveria mori masa të menjëhershme dhe efektive ndaj krizave si tërmeti dhe pandemia.
Fjala e plotë e Ministres së Financave dhe Ekonomisë, në Kuvend
Faleminderit i nderuar Kryetar i Seancës,
Të nderuar Deputetë, të nderuar qytetarë
Viti që lamë pas është padyshim më i vështiri në dekadën e fundit, një vit i vështirë për të gjithë familjet shqiptare, por edhe për buxhetin e shtetit. Por, ajo që mund të themi padiskutim është një vit që përtej sfidave është një vit që na mësoi dhe që na tregoi që mund t’ia dalim të gjithë së bashku.
Të kapërcejmë një vit të vështirë, por edhe të mësojmë dhe të ringrihemi pas kësaj.
Tërmeti dhe pandemia është togfjalëshi i vitit të kaluar, por kemi rindërtimin dhe rimëkëmbjen si togfjalëshi i një viti që sapo nisëm dhe i viteve të tjera të synuara drejt qeverisjes së mazhorancës socialiste në mandatin e tretë.
Reagimi i qeverisë shqiptare në vitin 2020 mund të karakterizohet me tre tipare, shpejtësi, efektivitet dhe vizion.
Reaguam në mënyrë të menjëhershme pas tërmetit të 26 Nëntorit, me një analizë dëmesh në kohë rekord dhe një konferencë donatorësh e shumë të suksesshme. Goditja nga pandemia dhe mbyllja e ekonomisë shqiptare, e kushtëzuar nga kjo goditje, nuk na tërhoqi për të marrë masat e menjëhershme me shpejtësi në kohë rekord duke siguruar: Pagesa të drejtpërdrejta për 300 mijë qytetarë, lehtësira fiskale për më shumë se 50 mijë biznese të vogla, mundësi likuiditeti për më shumë se 1500 biznese të mesme dhe të mëdha nëpërmjet garancive sovrane, mbështetje me skema të nxitjes së punësimit për më shumë se 700 biznese.
Pavarësisht përpjekjeve të opozitës dhe atyre që gjatë gjithë kohës përpiqen të gjejnë gjithmonë më të vështirën dhe për ta markuar atë vetëm me konotacione negative, pa elemente shprese atëherë ku në mbylljen e ekonomisë akuzuan pse mbyllëm ekonominë për të mbrojtur qytetarët, kur hapëm ekonominë, nuk kujdesemi për qytetarët. Sigurisht këto ishin të gjithë elementë që nuk na ndalën për të vijuar dhe për të ndihmuar për rimëkëmbjen ekonomike nëpërmjet disa akteve që ky parlament i nderuar miratoi në muajin korrik.
Përsëri me një kohë rekord dhe me një shpejtësi të padiskutueshme.
Siguruam për bizneset e vogla tatim fitimin zero dhe rritëm pragun e TVSH-së nga 2 milionë qarkullim vjetor në 10 milion qarkullim vjetor, duke siguruar që më shumë se 90% e bizneseve shqiptare nga 1 janari i këtij viti të mos kenë pagesa, të cilat më parë i konsideronin si shpenzime për buxhetin e shtetit. Pothuajse 50 milionë dollarë do ti mungojnë buxhetit të shtetit, por ky është një element i rëndësishëm për konsumin, biznesit të vogël dhe atë familjar.
Rritëm pagën minimale në 300 mijë lekë nga janari i këtij viti, duke siguruar njëkohësisht një vlerë të punës së individit.
Rritëm investimet publike në buxhetin 2021, në atë që është më i lartë në 10 vitet e fundit, në 7.2 % të PBB ose në vlerë absolute në 121 miliardë lekë të reja dhe dyfishuam ndihmën ekonomike duke u fokusuar edhe në buxhetin e vitit 2021, sikurse edhe ene momentin e paketave në shtresat në nevojë.
Janë disa nga instrumentet, të cilët kanë ardhur në ndihmë të qytetarëve në një vit të vështirë siç e thashë në fillim të fjalimit, por që nuk kanë munguar gjatë gjithë viteve të qeverisjes socialiste dhe Kryeministrit Rama.
Shqipëria mbi të gjitha është kthyer në një kantier ndërtimi për të ringritur zonat e goditura nga tërmeti dhe nuk dua të shkoj në detaje për numrin banesave, por mund t’ju them me plotë bindjen që, ndihma dhe mbështetja financiare e dhënë nga buxheti i shtetit që në momentin e parë të goditjes, të akorduar 20 miliardë lekë dhe më pas me akte normative në fund të vitit të kaluar me 34 miliardë lekë, 28 miliardë lekë në 2021 do të bëj të mundur që të mbahet premtim në kohë reale dhe më shpejt se sa të gjithë do të kishin menduar.
Prandaj i kthehem përsëri togfjalëshit pandemi dhe tërmet, por një reagim i menjëhershëm i qeverisë Rama me shpejtësi dhe efektivitet.
Për t’u fokusuar të akti normativ, i cili në fund të vitit të kaluar siç ndodhë në cdo vend, ka në fokus rialokimin e atyre zërave buxhetorë të cilët për gjatë vitit nuk kanë avancuar në mënyrën më të pritshme. Dhe nga punët publike që nuk kanë përfunduar ose shpenzime buxhetore për asyre juridike të kontratave që nuk kanë përfunduar të punët e përfunduar.
Qeveria pati në fokus të këtij akti normativ qytetarët dhe pensionistët, duke alokuar më këtë akt normativ 3.4 miliardë lekë për financimin e shpërblimit të fundvitit për kategorinë e pensionistëve, përkatësisht në masën 5 000 (pesë mijë) lekë për çdo pensionist. Nga ky shpërblimi përfituan 677 mije e 906 pensionistë.
Alokuam 1.4 miliardë lekë shtesë për Shëndetësinë dhe Mbrojtjen Sociale nga të cilat 400 milionë lekë për spitalet në shërbim të situatës së COVID 19;
Alokuam 1 Miliardë lekë për Skemën e Ndihmës Ekonomike & Personave me Aftësi të Kufizuar për 169 mijë individë dhe mbi 69 mijë familje.
Me këtë Akt Normativ alokuam një shtesë prej 4.4 miliardë lekë në mbështetje të Reformës së Ujit, prioritet themelor i Qeverisjes Socialiste.
Me këtë alokim, financojmë rreth 30 projekte qe kane avancuar në punimet në të gjithë Shqipërinë: në 51 qendra urbane dhe 500 fshatra.
Ndër të tjera realizuam jo më pak nevojën për financim shtesë në në masën 673 milionë lekë për mbarëvajtjen e plotë të zgjedhjeve të vitit 2021 për:
“Projektin e Identifikimit Elektronik te Zgjedhësve” dhe
“Projektin pilot te Votimit dhe Numërimit Elektronik”.
Kemi realizuar rialokime të nevojshme për të mundësuar efektivitetin në zërat e buxhetit të shtetit.
Unë si ministre e Financave dua të them që viti ishte i vështire, por ja dolëm edhe duke ruajtur të gjithë fondamentet të financave publike në një vit të vështirë për të gjithë, për familjet shqiptare, por edhe për financat publike.
Realizuam stabilitetin e financave publike, ruajtëm parametrat fiskalë, pavarësisht zgjerimit të borxhit, që është një zgjerim i detyrueshëm dhe nuk i ka ndodhur vetëm Shqipërisë por edhe vendeve të tjera të goditur vetëm nga pandemia, jo nga dy goditje të menjëhershme.
Sistemi financiar mbetet tërësisht i qëndrueshëm, likuid dhe i mirëkapitalizuar.
Në të njëjtën kohë pozicioni i jashtëm i ekonomisë, që është dhe mbetet një ka shqetësimet kryesore për ekonomistët ka qëndruar mjaft stabël. Dhe ndryshe nga shqetësimet fillestare kemi patur një rritje të konsiderueshme të stokut të rezervave valutore të vendit.
Inflacioni mesatar për periudhën janar-nëntor të vitit 2020 ka rezultuar në nivelin 1.7 përqind, krahasuar me nivelin 1.4 përqind regjistruar përgjatë vitit 2019.
Të ardhurat totale në buxhet të shtetit janë ulur me 7.9 për qind krahasuar me 2019 nga një parashikim me 15 për qind i pritshëm në skenarin tonë të parë.
Ne ja dolëm të realizonim në kohë, me shpejtësi dhe efektivitet një mbështetje për qytetarët, për individët, për t’u futur në një vit që sigurisht nuk është imun nga efektet e pandemisë, por me kurajën dhe shpresën që më të vështirin e kaluam vitin e kaluar.