“Ministria e Financave ka shtyrë me 6 muaj afatin për garancinë sovrane duke e çuar atë deri më 30 qershor 2021, një instrument që synon rimëkëmbjen e bizneseve të prekura nga pandemia Covid-19.”
Shtyrja e këtij afati deri mes të këtij viti sipas Financave ishte një kërkesë e bërë më herët nga Shoqata Shqiptare e Bankave, me argumentin se ka ende subjekte të interesuara për të përfituar nga kjo linjë kredie për kapital qarkullues dhe investime.
Të dhënat e Shoqatës së Bankave tregojnë se deri në fund të 2020-ës, 308 bizneseve iu është miratuar kërkesa për hua nga kjo garanci shtetërore më një vlerë totale prej 8.9 miliardë lekë apo rreth 72 milionë euro.
Ndërsa vlera e përdorur aktualisht arrin në mbi 5 miliardë lekë, më pak se gjysma e totalit të akorduar nga Financat për këtë instrument prej 15 miliardë lekë për të gjithë sektorët e ekonomisë.
Subjektet që operojnë në sektorët e tregtisë, shërbimit apo prodhimit aktiviteti i të cilave u godit nga pandemia, janë ato që kanë shfaqur më së shumti interes për këtë garanci sovrane, ku shteti mbulon 60% të vlerës së saj, ndërsa pjesa tjetër mbulohet nga vetë bizneset.
Ministria e Financave ka deklaruar se së shpejti do të ketë një garanci të tretë sovrane e cila do të fokusohet kryesisht te bizneset eksportuese, kushtet dhe fondi i së cilës nuk janë definuar ende nga ky dikaster.
Deri më tani, qeveria ka vënë në dispozicion të sektorit privat dy instrumente të garancisë sovrane me një vlerë totale prej 26 miliardë lekë për zbutjen e goditjeve që ka shkaktuar pandemia te bizneset.