Enti Rregullator i Energjisë ka miratuar “Kodit të Matjes së Gazit Natyror”, që është një prej dokumenteve më të rëndësishëm që do të rregullojë tregun e gazit në vend. “Kodi” është tërësia e normave minimale të detyrueshme për matjen dhe regjistrimin e gazit natyror. Ndërkohë që, përcakton kërkesat teknike të ndërtimit dhe shfrytëzimit të sistemit të matjes të gazit natyror, që do të jetë i përshtatshëm për matje, për mbledhjen e të dhënave, regjistrimin e tyre dhe zbatimin e procedurave përkatëse sipas rregullave të tregut dhe Marrëveshjeve midis Palëve.
Tashmë dokumenti është publikuar në Fletoren Zyrtare, ndërkohë që miratimi i tij vjen në një kohë kur vendi ynë po ndërmerr një sërë projektesh për shfrytëzimin e Gazsjellësit Trans Adriatik, me qëllim përdorimin e gazit në funksion të industrisë dhe klientëve fundorë. Kjo edhe për faktin, se TAP ka nisur operimit tregtar, duke transportuar gazin nga Azerbajxhani drejt tregjeve të Evropës. Paralelisht me Kodin e Matjes, tashmë ERE ka miratuar dhe Kodin e Rrjetit të Transmetimit të Gazit, që përcakton rregulla dhe procedura të sakta e transparente për tregtarët apo furnizuesit, që duan të rezervojnë dhe përdorin produktet e kapacitetit.
Më konkretisht, Kodi i Transmetimit, rregullon aksesin e palëve të treta në sistem, menaxhon alokimin e kapaciteteve kundrejt përdoruesve, përcakton strukturat tarifore, etj. Përpara miratimit, drafti i Kodit të Matjes, kaloi në një process konsultimi me të licencuarit në sektorin e gazit natyror si dhe gjithë palët e interesit./Scan