MENU
klinika

MFE rithekson rëndësinë e nismës për bizneset

“Fiskalizimi do ndihmojë formalizimin e ekonomisë”

14.01.2021 - 17:40

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, e shoqëruar nga Prefekti i Tiranës, Toni Gogo dhe Drejtorja e Përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj, zhvilluan një takim në mjediset e Prefekturës, me institucione publike dhe biznese me certifikatë elektronike.

Gjatë këtij takimi, ministrja Denaj vlerësoi se, fiskalizimi është një proces që do të ndihmojë në formalizimin e ekonomisë.

“Eshtë një proces që ka nisur përpara pandemisë. Sistemet, në të gjithë botën, janë ato të cilat ndihmojnë çdo administratë, në rastin konkret administratën tatimore, të gjurmojë në kohë dhe të krijojë elementët e duhur përpara e pas evazionit në atë formë që të fokusohemi tek ata që krijojnë edhe dëmin më të madh”, u shpreh ministrja.

Denaj nënvizoi se këtë proces do ta ndihmojnë shumë edhe nismat e qeverisë për lehtësimin e barrës fiskale për bizneset, sic janë përjashtimi nga tatim fitimi dhe rritja e pragut të TVSH.

Ky është një indikator që thekson rolin dhe rëndësinë e mbështetjes për biznesin e vogël edhe në një kohë të vështirë pasi rimëkëmbja ekonomike nuk është vetëm me elementët e politikës fiskale por ka hapësira edhe për këto elementë të tjerë, tha ministrja, duke theksuar se, mbas një viti e gjysmë, në më të mirën e mundshme do të shohim një administratë tatimore ndryshe që, jo vetëm ka shërbime online në 90% të veprimtarisë së tyre prej vitit të kaluar, por ka edhe një ndryshim tjetër në mënyrën si bëhen kontrollet dhe si do të evidentohet evazioni.

Marrëdhëniet e biznesit me entet publike, brenda asaj që është fatura elektronike janë bërë të ditura më parë që do të ishin marrëdhëniet e para të fiskalizuara në protokollin e ri.

Ndërsa Drejtorja e Përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj, u shpreh se, fiskalizimi nuk është një politikë, por një reformë e mënyrës së faturimit, e cila do të prekë të gjithë tatimpaguesit por sidomos administratën tatimore.

“Eshtë në vazhdën e reformave që qeveria ka nisur për digjitalizimin e procedurave. Administrata tatimore tashmë të gjitha shërbimet i ka online, të gjitha deklarimet tatimpaguesit i bëjnë online dhe me anë të fiskalizimit këto deklarime do të jenë në kohë reale. Të gjithë tatimpaguesit do të lëshojnë fatura elektronike dhe këto fatura do të lëshohen në serverin e tatimeve në kohë reale”, theksoi kreu i tatimeve.

Aktualisht numri i enteve publike që janë fiskalizuar në të gjithë vendin kapin shifrën e 351, ku vetëm, në Qarkun e Tiranës janë 182. Ndërsa numri i bizneseve me certifikatë ekektronike është në gjithë vendin 2 948 dhe në Tiranë 1407.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Sqaron çdo pyetje rreth fiskalizimit

Si do i ndihmojë platforma HelpDesk tatimpaguesit?