Pak muaj para zgjedhjeve të 2021-it është bërë një lëvizje politike! Ish-ministri i drejtësisë nga radhët e LSI-së, Nasip Naço dhe njëherësh eksponent i lartë i kësaj force politike ka kaluar zyrtarish me PS-në.
Naço e njoftoi largimin e tij nga LSI në qytetin e Beratit ku ishte në krah të ministrit Blendi Klosi gjatë ceremonisë së hedhjes së kryqit në Berat. Gjatë fjalës së tij para mediave Naço u shpreh se Shqipëria nuk ka nevojë për eksperimente politike.
“Nuk është rastësi që unë të jem këtu, nuk është dita e parë, jam prej 30 vjetësh nuk mund të mungoj dhe sot. Vendi ka nevojë për të ecur para, unë kam qenë pjesë e kabinetit qeveritar, kontributi im ndoshta ka qenë modest, por përkushtimi për Reformën në Drejtësi ka qenë shumë i madh. Sot jam me zotin Klosi po ajo që dua të them është se dhe në të ardhmen do të jem krah tij”, tha ai.
I pyetur se përse u largua nga LSI, Naço u shpreh i prerë:
“Shqipëria nuk ka më nevojë për eksperimente politike, nuk ka nevojë për njerëz që janë vasalë, ka nevojë që të përfaqësojë qytetarët të cilët kërkojnë që votat e tyre të kalojnë me të majtën. Eksperimentet janë të së kaluarës. E thashë dhe më parë që e ardhmja i përket socialistet progresive. Mesazhet që më vinë nga qytetarët janë që unë të vijoj të jap kontribut për këtë qytet dhe nuk janë pak por 70% të artyre që kanë votuar të ardhmen progresive.”, u shpreh Naço teksa ishte i pranishëm ditën e sotme në Berat.”