Deputetja Rudina Hajdari, pjesë e Nismës Thurje, njofton se do të kandidojë si kandidate për deputete, për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, në Qarkun e Elbasanit.
Përmes një video-mesazhi të publikuar pak më parë, Hajdari zyrtarizon vendimin e saj për të kandiduar në Elbasan, dhe fton banorët atje që t’i bashkohen ekipit të saj.
“Ndaj sot, dua t’ju lajmëroj se kam menduar që në zgjedhjet e ardhshme të kandidoj në Qarkun e Elbasanit, si kandidate e Nismës Thurje”, u shpreh Hajdari.
Shkrimi i Hajdarit – Video:
“Miq, dua t’ju kërkoj sot mbështetje për një vendim të rëndësishëm që kam marrë së bashku me skuadrën lidhur me zgjedhjet e ardhshme.
Nëse beson te unë dhe te ekipi ynë të lutem merr pak kohë, më dëgjo, e na jep një dorë. Ka ardhur koha që të gjithë të rebelohemi ndaj klasës së vjetër politike dhe kjo mund të ndodhë vetëm nëse ndihmojmë ata që marrin guximin të përballen.
Nëse je nga qarku i Elbasanit të ftoj të regjistrohesh te rudinahajdari.al dhe menjëherë do të kontaktoj për një takim, që të jesh pjesë e ekipit. Nëse je gjetkë, sugjeroja këtë video miqve që njeh në qarkun e Elbasanit. Nëse ke mundësi mund të dhurosh për fushatën te rudinahajdari.al.
Ndryshimi vjen nga njerëzit që kanë guximin të sfidojnë realitetin e hidhur dhe ne e kemi këtë guxim. Kemi edhe gjithë energjinë për tu përballur me një klasë të kalbur politike e cila na ka vjedhur deri në palcë. Eja bashkohemi! Nuk jemi të varfër, jemi të vjedhur!
Ju falenderoj nga zemra