Është arritur një marrëveshje për ngritjen e një qendre të përbashkët dypalëshe me Shqipërisë dhe Greqisë, që synon luftën kundër krimit ndërkufitar dhe atij të organizuar, ku do të operohet me të njëjtën qendër dhe staf nga të dyja palët.
Raportohet se takimi për arritjen e marrëveshjes u mbajt në Kakavijë. Pala greke u shpreh se ky është një hap i rëndësishëm ndaj luftës kundër krimit të organizuar.
“Jemi këtu për të dëshmuar dy gjëra, e para një vlerësim për bashkëpunimin ndaj dy policive tona dhe e dyta për ta ngjitur me lart këtë bashkëpunim, dëshmi për luftën ndaj krimit të organiaur dhe marrëdhënieve mes dy vendeve. Ky është hapi i parë dhe do të vijojë me tej. Suksese policëve që do të punojnë së bashku”, tha zv ministri i Brendshëm i Shqipërisë Julian Hodaj.
Ndërsa, zv ministri i Mbrojtjes Civile greke Elefterios Ikonomu shpjegoi me hollësi si do të funksionojë qendra.
“Qendra do jetë në funksion 24 orë, oficerë të të dyja vendeve dhe nëpunës të doganës do jenë të pranishëm. Në krye janë drejtues të të dyja palëve. E rëndësishme është që oficerët e të dyja palëve do të punojnë në të njëjtin vend, do të shkëmbejnë informacione sekrete, duke koordinuar shërbimet për luftën kundër krimit ndërkufitar dhe atij të organizuar.
Do të përshpejtohet reagimi i menjëhershëm i shërbimeve. Mesazhi ynë i qartë është se punojmë me mënyrë metodike kundër krimit të organizuar, duke garantuar siguri e paqe në shumicën dërrmuese të dy popujve tanë që lëvizin mes dy vendeve tona. Kjo qendër është një mundësi e madhe për realizimin e veprimtarisë edhe në nivel evropian. Greqia mbështet ecurinë evropiane të Shqipërisë. Bashkëpunimi mes dy policive eshtë shumë i mirë, por hapësirat që ky bashkëpunim të jetë më i mirë janë të shumta”, tha Ikonomu.