Banka Botërore po drejton qeverinë shqiptare në rrugët e nevojshme për të përballuar sa më mirë financiarisht fatkeqësitë natyrore si pandemia, përmbytjet apo edhe tërmetet. Vendi ynë e nisi 2020 më dëmtime shumë të rënda nga tërmeti, më pas u shfaq pandemia e cila vazhdon të jetë e pranishme, ndërsa javët e fundit një pjesë e mirë e vendit po përballet dhe me përmbytje të shumta. Sigurisht që këto goditje përkthehen më pas në kosto shumë të larta financiare që ekonomia shqiptare e ka të pamundur t’i përballojë, në kohën kur vendi po ecën në recesion dhe borxhi publik po rritet.
Kështu së fundmi BB dhe Ministria e Financave po përgatisin një plan bazuar në tre hapa, i cili do të përmirësojë veprimet e ndërmarra në rast pandemie, si dhe do të ulë kostot për përballjen e fatkeqësive natyrore. Sipas një njoftimi të publikuar nga Banka Botërore në faqen e saj zyrtare, një nga hapat primarë është vënia në zbatim e një ligji për sigurimin e detyrueshëm të banesave, si dhe nxjerrja e një strategjie kombëtare që do të mirëmenaxhojë dhe përdorë fondet e emergjencave. “Për të adresuar mangësitë e identifikuara, Qeveria, nën drejtimin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, ka vendosur të ndërmarrë tre hapa të menjëhershëm: Hapi 1; Zhvillimi i Strategjisë kombëtare për Financimin e Riskut të Fatkeqësive. Kjo strategji do të identifikojë përparësitë e vendit dhe do të përcaktojë mënyrat për kombinimin e instrumenteve të ndryshme të financimit të riskut për adresimin e këtyre përparësive me kosto sa më efektive. Hapi 2; Realizimi i përpjekjeve për të eliminuar mangësitë në lidhje me mbrojtjen në rast fatkeqësish. Përmes Ministrisë së Financave dhe Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Shqipëria ka punuar për përgatitjen e një projektligji për sigurimin e detyrueshëm ndaj tërmeteve për ndërtesat e banimit. Ligji po diskutohet në strukturat e brendshme të qeverisë, e cila do të përcaktojë edhe hapat e mëtejshëm në këtë aspekt”, ka përcaktuar banka si dy hapa të rëndësishëm.
Bërja e politikave efektive
Ndër të tjera BB e sheh si shumë të nevojshme që qeveria shqiptare, të arrijë të nxjerrë në pah të gjitha kostot e përdoruar për përballimin e pandemisë dhe gabimet e bëra në menaxhimin e financave. Sipas saj, vetëm kështu do mund të krijohen më pas politika strukturore për përballimin financiar të pandemisë. Banka vë në dukje se, politika të reja duhet të kenë më në fokus uljen e shpenzime dhe kostove kaq të lartë në përballje me fatkeqësitë natyrore, pasi në rast kur ato janë në përmasa më të larta ekonomia do të pësojë një recesion aq të thellë sa nuk do mund ta marrë më veten.
“Nxjerrja e mësimeve nga menaxhimi financiar i pandemisë COVID-19. Së bashku me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, Banka Botërore është duke përgatitur analizën e shpenzimeve të gjeneruara për shkak të COVID-19. Duke u bazuar në gjetjet e vlerësimit diagnostikues për financimin e riskut të fatkeqësive, analiza do të forcojë të dhënat mbi kostot dhe përfitimet që rrjedhin nga përdorimi i instrumenteve që aktivizohen pas fatkeqësive siç janë rishpërndarjet e buxhetit dhe do të mbështesë qeverinë për zhvillimin e politikave për minimizimin e këtyre kostove”, thekson Banka Botërore. Po në këtë njoftim, BB argumenton se bërja e këtyre politikave dhe krijimi i strategjisë së lartpërmendur janë më se të nevojshme, sepse që në përballjen e parë me një tjetër goditje, nga sigurimet e bëra reduktohen automatikisht një pjesë e shpenzimeve që do duheshin për riparim, ndërsa fondet e vëna në dispozicion do të koordinohen në atë mënyrë që të sjellin rikuperim dhe më pak shpenzime nga arka e shtetit. Në të kundërt dëmi financiar do të jetë me miliarda lekë.