MENU
klinika

Nga skenari pesimist tek ai bazë

Parashikimi i Bankës Botërore për ekonominë shqiptare

17.01.2021 - 10:19

Maryam Salim, menaxhere e zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri, në një intervistë ka bërë një përshkrim të situatës ekonomike në të cilën ndodhet vendi ynë. Ajo është ndalur nga kenari pesimist tek ai bazë, ku sipas saj rritja ekonomike mund të variojë midis 2.5% deri në 5.1%.

Banka Botërore ka paralajmëruar për karakterin e jashtëzakonshëm të kësaj krize – thellësinë e saj, fushën e gjerë, ndikimin në varfëri e cila po rritet, për herë të parë globalisht, pas dy dekadash. Në Shqipëri, pasojat e masave të izolimit dhe ulja e kërkesës ka bërë që shumë punonjës urbanë në sektorin e shërbimeve të humbin një pjesë të konsiderueshme të fitimeve, për shkak të papunësisë ose kërkesës së ulët

Sipas projeksioneve bazë të Bankës Botërore, në vitin 2021, ekonomia shqiptare parashikohet të rritet me 5.1%. Znj. Maryam Salim, menaxhere e zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri, pohon në një intervistë për “Monitor” se, në një skenar pesimist, sipas të cilit pandemia e COVID-19 zgjat deri në fund të vitit 2021, ekonomia shqiptare parashikohet të rritet me 2.6 pikë përqindje më pak se në skenarin bazë. Sipas këtij skenari, rritja nuk do të ishte më e lartë se 2.5%.

Znj. Salim pohon se simulimet e prodhuara nga Banka Botërore për të matur efektet e krizës dhe zbutjen e këtyre përgjigjeve tregojnë se varfëria e përcaktuar, si përqindja e njerëzve që jetojnë me më pak se 5.5 dollarë amerikanë në ditë (korrigjuar për fuqinë blerëse) në Shqipëri mund të jetë rritur me rreth 6 pikë përqindje. Ajo rekomandon qeverinë që të përqendrohet në përmirësimin e mbledhjes së të ardhurave dhe efikasitetin e shpenzimeve dhe pas krizës, politikëbërësit do të duhet të përqendrohen në forcimin e bazave ekonomike për të arritur një rimëkëmbje elastike.

Cilat janë pritshmëritë për ecurinë e ekonomisë shqiptare për vitin 2021?

Ekonomia shqiptare pritet të fillojë të rritet në vitin 2021. Sipas projeksionit bazë, duke supozuar se kufizimet shëndetësore do të vazhdojnë në vitin 2021, rritja e PBB parashikohet në 5.1% nga baza e ulët e 2020-s – teksa eksportet, konsumi dhe investimet mund të rimëkëmben pjesërisht.

Një nga supozimet kryesore, që qëndron në themel të këtij projeksioni rikuperimi, është se turizmi ndërkombëtar mund të rimëkëmbet ndjeshëm në vitin 2021. Rindërtimi pas tërmetit pritet të përshpejtojë dhe mbështesë rritjen, në përputhje me gjetjet empirike nga studimet që analizojnë dinamikën e rritjes pas katastrofave të mëparshme të ngjashme në ekonomitë në zhvillim.

Cilët janë skenarët më të mundshëm për ekonominë, bazuar në situatën e COVID-19?

Projeksioni bazë ka një pasiguri e madhe në lidhje me frenimin e pandemisë, kohën e nevojshme për shpërndarjen e vaksinës, por edhe shpejtësinë e rimëkëmbjes së Bashkimit Europian dhe partnerëve të tjerë tregtarë. Në një skenar pesimist, duke supozuar një rritje më të shpejtë të rasteve të reja me COVID-19 që zgjat deri në gjysmën e dytë të 2021 në shumë vende, dhe një vonesë e vaksinimit me dy deri në katër tremujorë, do të kishte me siguri një rënie të fortë të besimit. Sipas këtij skenari, ekonomia shqiptare parashikohet të rritet me 2.6 pikë përqindje më pak se në skenarin bazë (referuar skenarit negativ të GEP-Perspektivës Ekonomike Globale).

Si do ta vlerësonit angazhimin e qeverisë shqiptare për të tejkaluar pasojat e COVID-19, krahasuar me shtetet e rajonit, sa u përket paketave mbështetëse dhe politikave makroekonomike?

Zbatimi i skemave të gjera të ruajtjes së vendeve të punës, përfshirë subvencionet e punonjësve, ndihmuan në frenimin e disa prej ndikimeve më të këqija të pandemisë në punësim, ndërsa programet e ndihmës sociale, të tilla si transferimet e parave, ndihmuan në mbrojtjen e popullatave më të brishta në rajon përballë bllokimeve dhe kufizime të tjera.

Shpenzimet për rindërtimin e tërmetit vazhduan, duke siguruar kështu stimulin për të mbështetur rimëkëmbjen. Instrumentet e financimit, si skemat e garantimit të kredisë, gjithashtu zhbllokuan kreditë për sipërmarrjet në mbështetje të vazhdimësisë së biznesit dhe punësimit.

Prioriteti i parë mbetet mbajtja nën kontroll e krizës shëndetësore dhe kufizimi i dëmit ekonomik. Politikëbërësit do të duhet më pas të përqendrohen në forcimin e bazave ekonomike, për të arritur një rimëkëmbje elastike. Në të ardhmen, mbështetja për individët dhe bizneset e dëmtuara nga goditjet duhet të jetë e përkohshme dhe e mirëshënjestruar, subjekt i transparencës dhe përgjegjësisë.

Për shkak të burimeve të kufizuara fiskale, hapësira fiskale e nevojshme për të vazhduar mbështetjen për shtresat më të prekshme duhet të krijohet nëpërmjet përmirësimit të mbledhjes së të ardhurave dhe efikasitetit të shpenzimeve.

Cilët janë sektorët që ju vlerësoni se mund të vuajnë në një afat më të gjatë dhe ata që do të rikuperohen më shpejt? Po për sa u përket bizneseve (të vegjlit kundrejt të mëdhenjve)?

Në veçanti, pandemia COVID-19 goditi turizmin dhe udhëtimet, si dhe shërbimet personale, të cilat prej disa vitesh kanë udhëhequr rritjen ekonomike të vendit. Sektori i prodhimit u godit rëndë edhe me rënien e porosive të eksportit dhe ndërprerjen e zinxhirëve të furnizimit. Goditjet që erdhën nga pandemia dobësuan në mënyrë disproporcionale ndërmarrjet e vogla, për shkak të më pak amortizatorëve dhe aksesit më të ulët te burimet e financimit. Ne do të prisnim që sektorët e prekur të rikuperohen shpejt, pasi pandemia globale të vihet nën kontroll.

Sidoqoftë, është e rëndësishme t’u kushtohet vëmendje ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, nëpërmjet masave që përmirësojnë produktivitetin dhe qasjen e tyre në financa, në mënyrë që ato të rriten dhe të jenë më konkurruese. Mjedisi i biznesit shqiptar dhe politikat e qeverisë duhet të jenë në mbështetje të kompanive të reja dhe inovative, që do t’i sigurojnë ekonomisë dinamizmin dhe diversitetin aq të nevojshëm.

COVID-19 po e ndryshon me shpejtësi ekonominë globale, duke çuar në ndryshime radikale dhe përshtatje. Si prisni që të ndryshojë ekonomia shqiptare në afatin e shkurtër dhe të mesëm?

Pandemia e COVID-19 ka të ngjarë të rezultojë në një rialokim të konsiderueshëm të ekonomisë – për shembull, drejt ekonomisë online dhe larg shërbimeve personale. Në planin afatshkurtër, kjo tashmë po shkakton ndërprerje të tregut të punës. Sipas skenarit bazë, vendi ka të ngjarë të vazhdojë të rritet përtej vitit 2021, teksa kërkesa e huaj do të stabilizohet dhe rindërtimi do të ndihmojë në kthimin e kërkesës së brendshme.

Sidoqoftë, shumë nga ndryshimet ekonomike ka të ngjarë të tejkalojnë vetë pandeminë. Është thelbësore që Shqipëria të lehtësojë rialokimin ekonomik për t’iu përgjigjur këtij “normaliteti të ri” – duke ndihmuar punëtorët të kalojnë në sektorë që sigurojnë rritje, ndërsa ndihmon ristrukturimin e sektorit të biznesit.

Cilët janë sektorët ku Shqipëria mund të përfitojë nga transformimi i zinxhirit global të vlerës për shkak të COVID-19? Çfarë duhet të bëjë qeveria shqiptare, në mënyrë që të lehtësojë këtë proces?

Banka Botërore ka theksuar rëndësinë e shikimit të krizës si një mundësi për t’i bërë gjërat më mirë dhe ndryshe. Duhet të ushqehen më tej mundësitë kryesore të rritjes për ekonominë e Shqipërisë. Në veçanti, kriza ka ripërtërirë vrullin drejt dixhitalizimit të ekonomisë – ky moment duhet të shfrytëzohet për të pozicionuar më mirë Shqipërinë në ekonominë globale të së ardhmes. Po ashtu, ndërsa zinxhirët globalë të vlerës janë konfiguruar duke dalë nga kriza, ekonomia e vogël e Shqipërisë duhet të pozicionohet për të shfrytëzuar mundësinë dhe për të forcuar integrimin në ekonominë globale.

Këto janë mundësi thelbësore për të diversifikuar ekonominë dhe për të forcuar qëndrueshmërinë e Shqipërisë ndaj goditjeve në të ardhmen. Përqendrimi në ekonominë blu, për shembull, do të ndihmojë në shfrytëzimin e potencialit të madh të Shqipërisë në këtë fushë, ndërsa siguron mundësi rritjeje për shumë ndërmarrje të vogla, pjesë e zinxhirëve të furnizimit që mbështesin këtë sektor premtues.

Çfarë reformash duhet të zbatohen në afatin e gjatë, në mënyrë që të transformohet ekonomia dhe kriza të kthehet në mundësi?

Procesi i pranimit të Shqipërisë në BE, duhet të mbetet një spirancë kryesore për axhendën e reformave strukturore të vendit dhe kuadrin makroekonomik. Në frontin e brendshëm, mobilizimi i të ardhurave dhe përmirësimi i efikasitetit dhe barazisë së shpenzimeve publike duhet të mbeten përparësi, për të ulur nivelet e larta të borxhit, për të krijuar amortizatorë fiskalë për të adresuar goditjet, veçanërisht ato që lidhen me fatkeqësitë natyrore dhe për të përmirësuar ofrimin e shërbimeve publike.

Mbështetja e rritjes gjithëpërfshirëse do të kërkojë adresimin e sfidave të rëndësishme strukturore, si të natyrës strukturore, ashtu dhe të zbatimit, që lidhen me sundimin e ligjit, mjedisin e biznesit dhe kapitalin njerëzor. Në nivelin e firmave, ekziston nevoja për t’u përqendruar në masat që përmirësojnë mjedisin e biznesit, për të zvogëluar informalitetin, për të mbështetur inovacionin dhe për të rritur produktivitetin, si dhe për të rritur mundësinë e aksesit në financimin e përballueshëm.

Cilat do të jenë pasojat e pandemisë në normën e varfërisë së Shqipërisë dhe çfarë duhet të bëjë qeveria për ta zvogëluar atë?

Banka Botërore ka paralajmëruar për karakterin e jashtëzakonshëm të kësaj krize – thellësinë e saj, fushën e gjerë, ndikimin në varfëri e cila po rritet, për herë të parë globalisht, pas dy dekadash. Në Shqipëri, pasojat e masave të izolimit dhe ulja e kërkesës ka bërë që shumë punonjës urbanë në sektorin e shërbimeve të humbin një pjesë të konsiderueshme të fitimeve të tyre, për shkak të papunësisë ose kërkesës së ulët. Qeveria u përgjigj për të zbutur këtë ndikim, duke rritur përfitimet e ndihmës sociale dhe duke zgjeruar përkrahjen e Ndihmës Ekonomike, si dhe duke siguruar mbështetje të pagave për firmat.

Simulimet e prodhuara nga Banka Botërore për të matur efektet e krizës dhe zbutjen e këtyre përgjigjeve, tregojnë se varfëria e përcaktuar si përqindja e njerëzve që jetojnë me më pak se 5.5 dollarë amerikanë në ditë (korrigjuar për fuqinë blerëse) në Shqipëri mund të jetë rritur me rreth 6 pikë përqindje, duke marrë parasysh të gjithë këta faktorë. Transfertat direkte të parave vlerësohet të kenë rritur të ardhurat e familjeve, veçanërisht në kategorinë më të varfër, ndërsa subvencionet e pagave kanë mbështetur punëtorët në kategorinë më të pasur.

Si i ka ndikuar COVID-19 projektet e Bankës Botërore në Shqipëri?

Pandemia e COVID-19 ka pasur një efekt në të gjithë botën, përfshirë edhe Shqipërinë. Ekipet e Bankës Botërore hartuan, në një kohë rekord, mbështetje për 112 vende, përfshirë Shqipërinë. Një projekt prej 15 milionë dollarësh amerikanë u miratua në korrik nga Bordi ynë, për të mbështetur, në mënyrë specifike, masat e lidhura me COVID-19, të përqendruara kryesisht në laboratorë shtesë, pajisje dhe teste, dhe trajnimin e stafit mjekësor.

Për më tepër, projektet e miratuara që nga marsi 2020, duhet të jenë të lidhura me COVID-19 – të marrin në konsideratë situatën e vendit dhe të përshtatin, zbusin dhe mbështesin për aq sa është e mundur, përmirësimin e situatës. Për sa i përket portofolit të vazhdueshëm, pavarësisht lëvizjes shumë të kufizuar ose pothuajse fare, me një bashkëpunim të fortë me Qeverinë, projektet e mbështetura nga Banka Botërore, megjithëse me disa vonesa, kanë vijuar zbatimin.

Cilat janë planet e Bankës Botërore në Shqipëri dhe si janë ndikuar nga situata e COVID-19?

Banka Botërore sapo ka miratuar një Hua të Politikave Zhvillimore në shumën prej 80 milionë dollarësh amerikanë, pasi qeveria ndërmori masa politike në fushën e taksave, sektorit financiar, mjedisit dhe dixhitalizimit. Ndërkohë po finalizon përgatitjen e një projekti në sektorin e ujit, që mbështet Programin e qeverisë në këtë fushë, Financim Shtesë për Projektin e Turizmit dhe Financim Shtesë për Sistemin e Modernizimit të Sektorit Shëndetësor.

Ky i fundit, vjen pasi Qeveria dhe Banka vendosën të rialokojnë burimet ekzistuese financiare për të ndërtuar plotësisht, ose pjesërisht, spitale në zonat e prekura nga tërmeti (Spitali i Laçit dhe Spitali Pediatrik në Tiranë). Në të vërtetë, ndërsa të gjitha projektet synojnë të përmirësojnë infrastrukturën dhe njohuritë në zona dhe sektorë të veçantë, në fund të fundit, do të mbështesin më shumë biznese, më shumë punë dhe mirëqenie për popullin shqiptar./Monitor

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN