Një sërë vendesh që janë konsideruar si shembuj të menaxhimit të krizës së koronavirusit. Në Australi, Zelandën e Re dhe Tajvan, infeksionet e përditshme me Covid janë nën 100 dhe shpërthimet e epidemisë janë nën vënë kontroll.
Por ekziston një fushë ku këto kombe mbeten shumë prapa: vaksinimi. Vendet me disa nga sistemet e kujdesit shëndetësor më të mrekullueshëm në botë, përfshirë Australinë, Zelandën e Re, Japoninë dhe Korenë e Jugut, nuk do të fillojnë shpërndarjen e vaksinave deri në fund të shkurtit ose më vonë.
Vonesa është e qëllimshme. Miliona njerëz që tashmë janë vaksinuar kundër Covid-19 do të sigurojnë të dhëna të vlefshme për ato vende që kanë vendosur të presin për më shumë informacion në lidhje me vaksinën, efikasitetin e saj dhe efektet anësore përpara se ta shpërndajnë për popullatat e tyre.
Ministri i shëndetësisë i Australisë, Greg Hunt, tha të enjten se Australia ishte krenare që ishte pjesë e grupit të “vendeve më të suksesshme në botë për trajtimin e pandemisë” por tha se nuk do të binte pre e presionit për të miratuar një vaksinë pa qenë e sigurt.
Një faktor i rëndësishëm i miratimit të shpejtë të vaksinës në disa vende është ashpërsia e epidemisë. SHBA-ja regjistroi të mërkurën një rekord prej 3,900 viktimash. Të enjten numri i të viktimave në Mbretërinë e Bashkuar u rrit me 1,162, rekordi i dytë më e lartë që nga fillimi i pandemisë. Urgjenca për një vaksinë në këto vende është i dukshëm, me spitale dhe morgje që luftojnë për të menaxhuar numrin e të vdekurve dhe punonjësve të kujdesit shëndetësor të cilët punojnë me turne një-javore.
Për krahasim, shumica e shteteve dhe territoreve australiane nuk kanë pasur raste me koronavirusit për muaj me radhë, ndërkohë që në Zelandën e Re nuk ka pasur asnjë rast lokal që nga 18 nëntori.
Jennifer Martin është një mjeke në Australi e cila është gjithashtu anëtare e komitetit këshillues të kompanisë Pharmac, blerësi i vetëm farmaceutik në Zelandën e Re. Ajo tregon se arsyeja e vonesës së miratimit të vaksninës është sepse ka shumë kontrolle të dyfishta dhe rishikim të statistikave, sepse nëse bëhet një gabim, do të bëhet një gabim në një shkallë të gjerë.
“Nuk është aq e pazakontë që rregullatori mund të shikojë të dhënat dhe të thotë se duhet të presim ende. Vaksina mund të funksionojë tek europianët, por ne jemi mjaft të shqetësuar se si ajo mund të ndikojë tek indigjenët dhe popullata aziatike. Autoritet në Australi dhe Zelandën e Re po thonë pse do t’i vendosim njerëzit në rrezik kur nëse presim pak më shumë, mund të marrim më shumë informacion?”, thotë Martin.
Rregullatorët tashmë po mësojnë nga ata që janë vaksinuar. Të mërkurën, Qendrat e SHBA-së për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve publikuan të dhëna mbi reaksionet alergjike ndaj vaksinës Pfizer / BioNTech mRNA të parë në SH.B.A. midis 14 dhe 23 Dhjetor.
Këto të dhëna do të jenë të dobishme për vende të tilla si Koreja e Jugut, e cila ka siguruar doza të mjaftueshme vaksinash për të gjithë 52 milion njerëzit e vendit, por po vonon vaksinimin masiv ndërsa vëzhgon efektet e mundshme anësore në Europë dhe SHBA. Ndërkohë, ministria e shëndetit e Zelandës së Re tha se rregullatorët po prisnin të “merrnin parasysh vlerësimet e rregullatorëve të besuar, të tilla si në Australi, Mbretërinë e Bashkuar, Europë, Kanada dhe SHBA”.
Një ekspert i sëmundjeve infektive dhe vaksinave nga Universiteti i Sidneit, Prof Robert Booy, tha se vaksina e prodhuar nga Pfizer / BioNtech, e cila po shpërndahet e para në shumë vende, ka “pesë avantazhe të jashtëzakonshme” krahasuar me llojet e tjera të vaksinave.
“Vaksinat me m-ARN mund të zhvillohen shpejt, ato janë të lira, janë efektive, ato duken të sigurta,” tha ai. “Por shqetësimi kryesor është se ne kurrë nuk e kemi përdorur këtë lloj vaksine më parë, kështu që duhet të bëjmë çmos për të bërë një mbikëqyrje të gjatë dhe për t’u siguruar se nuk ka efekte anësore”.
Booy tha se kishte gjithmonë një vend që duhej të ishte i pari me futjen e ndonjë ilaçi ose pajisje mjekësore. Duke parë deri tani procesin në vendet e tjera, eksperti australian thotë se vaksinat kishin shumë të ngjarë të ishin të sigurta, por disa vende, të detyruara të zgjedhin midis vdekjeve eksponenciale dhe sistemeve të mbingarkuara shëndetësore, ose futjes së një vaksinë para se të kishin kohë për të analizuar rezultatet e plota, ishin detyruar të bënin këtë të fundit.
Vende si Australia, Zelanda e Re, Japonia dhe Koreja e Jugut po presin të shohin sesi po shkon procesi në SHBA dhe Europë për të kuptuar edhe logjistikën e transportimit të vaksinave, disa prej të cilave kërkojnë ruajtje në frigoriferë edhe pse duhet të transportohen në relieve të vështira duke përfshirë shkretëtirat, pyjet dhe shkurret. (The Guardian)