Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka përshëndetur vendimin e Parlamentit të Kosovës, për të autorizuar Forcën e Sigurisë së Kosovës të marrë pjesë në misionet paqeruajtëse në botë.
Në një postim në Facebook, Kreu i Shtetit thotë se Kosova dëshmon cdo ditë se është jo vetëm një faktor i rëndësishëm për paqen, stabilitetin e sigurinë në rajon, por edhe promovuese e këtyre vlerave në botë.
Presidenti Meta shprehet se Kosova e meriton plotësisht të jetë anëtare e NATO-s.
“Përshëndes vendimin historik të Parlamentit të Kosovës për të autorizuar Forcën e Sigurisë së Kosovës të marrë pjesë në misionet paqeruajtëse në botë, në bashkëpunim me ushtrinë amerikane.
Kosova dëshmon qartë çdo ditë se është jo vetëm një faktor i rëndësishëm për paqen, stabilitetin e sigurinë në rajon, por edhe promovuese e këtyre vlerave në botë. Kosova e meriton plotësisht të jetë sa më parë anëtare e NATO-s dhe do të ketë mbështetjen e pakursyer të Shqipërisë në këtë drejtim”, shkruan Meta.