Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, ishte sot në ceremoninë për dhurimin e pajisjeve për menaxhimin e përmbytjeve për Ministrinë e Mbrojtjes.
Në fjalën e saj, ambasadorja amerikane vuri në dukje se ky dhurim vjen në një kohë kritike, por “kjo është ajo që aleatët bëjnë për njëri-tjetrin – ata qëndrojnë gati për të ndihmuar kur kjo u kërkohet”
“Si miq, partnerë dhe aleatë të NATO-s, amerikanët dhe shqiptarët kanë qenë në krah të njëri-tjetrit, veçanërisht në kohë të vështira, si sot. Ky dhurim i fundit i pajisjeve vjen në një kohë kritike dhe ne jemi të lumtur që artikujt e dhuruar sot do të vihen menjëherë në përdorim për të ndihmuar njerëzit në nevojë. Kjo është ajo që aleatët bëjnë për njëri-tjetrin – ata qëndrojnë gati për të ndihmuar kur kjo u kërkohet”, nënvizoi Kim.
Ambasadorja tha se “në të njëjtën mënyrë Shqipëria i është përgjigjur vazhdimisht thirrjes nga Shtetet e Bashkuara, në të gjithë botën. Ne jemi krenarë që vazhdojmë të qëndrojmë ‘krah për krah’ me ju”.
Fjala e plotë e ambasadores amerikane:
Do të doja të falënderoja mikpritësin tonë, gjeneral Sallakun, që më ka mirëpritur në komandën mbështetëse. E di që keni qenë i zënë ditët e fundit në përgjigje të përmbytjeve. Më lejoni ta filloj duke shprehur keqardhjen tonë për ata që vuajnë për shkak të përmbytjes dhe falënderimet tona për ata – përfshirë shumë këtu – të cilët po punojnë për të ofruar ndihmë.
Amerikanët dhe shqiptarët ndajnë së bashku shumë vlera dhe një nga më të thjeshtat, por edhe më e rëndësishmja është kjo: Miku njihet që është mik, në nevojë e në rrezik. Si miq, partnerë dhe aleatë të NATO-s, amerikanët dhe shqiptarët kanë qenë në krah të njëri-tjetrit, veçanërisht në kohë të vështira, si sot.
Javët e fundit kemi parë reshje dramatike këtu në Shqipëri dhe kemi dëshmuar shkatërrimin që vjen prej këtyre reshjeve të mëdha të shiut. Rrugë dhe ndërtesa të dëmtuara, fusha dhe qytete të përmbytura, qytetarë në nevojë për evakuim. Ushtria shqiptare ka punuar gjatë gjithë kohës për të ofruar ndihmë urgjente dhe e ka bërë atë në mënyrë të admirueshme.
Sot, Komanda Evropiane e Shteteve të Bashkuara dëshiron t’ju dhurojë Forcave të Armatosura të Shqipërisë pajisje për lehtësimin e pasojave të përmbytjeve. Që prej vitit 1999, Komanda Evropiane e Shteteve të Bashkuara ka siguruar mbi 13 milionë dollarë ndihmë humanitare për Shqipërinë. Shumë projekte domethënëse në të gjithë vendin – nga rinovimi i shkollave dhe klinikave mjekësore, te dhurimi i pajisjeve kritike të nevojshme për t’iu përgjigjur tërmeteve, zjarreve në pyje dhe përmbytjeve – janë dhurata nga populli i Amerikës për popullin e Shqipërisë dhe ato përfaqësojnë angazhimin e Shteteve të Bashkuara për aleaten tonë shqiptare të NATO-s.
Ky dhurim i fundit i pajisjeve vjen në një kohë kritike dhe ne jemi të lumtur që artikujt e dhuruar sot do të vihen menjëherë në përdorim për të ndihmuar njerëzit në nevojë. Kjo është ajo që aleatët bëjnë për njëri-tjetrin – ata qëndrojnë gati për të ndihmuar kur kjo u kërkohet. Në të njëjtën mënyrë Shqipëria i është përgjigjur vazhdimisht thirrjes nga Shtetet e Bashkuara, në të gjithë botën. Ne jemi krenarë që vazhdojmë të qëndrojmë ‘krah për krah’ me ju.
Ndër të gjitha punët e rëndësishme në të cilat merr pjesë Ambasada e Shteteve të Bashkuara, këto projekte të ndihmës humanitare janë për mua ndër më shpërblyeset. Do të doja të falënderoja Komandën Evropiane të Sh.B.A, e cila, përmes Zyrës së Bashkëpunimit Ushtarak, punoi për përshpejtimin e këtij projekti. Në fund, do të doja të theksoja përkushtimin e personelit tonë shqiptar në Zyrën e Bashkëpunimit Ushtarak, të cilët krenohen shumë që mund t’i japin diçka mbrapsht vendit të tyre përmes këtyre përpjekjeve.