MENU
klinika

“Kaluam valën e dytë, tani presim pasojat e festimeve”

Shifrat e paqëndrueshme të Covid, rriten rastet, ulen shtrimet

08.01.2021 - 10:07

Rritja e testimeve në tri ditët e fundit ka sjellë pashmangshmërisht më shumë të infektuar me virusin Sars Cov 2.

Përqindja e rasteve pozitive kundrejt tamponëve të kryer është në nivelet e 20%. 697 raste janë shënuar në 24 orët e fundit në vend pas 3668 testimeve të kryera. Specialistët e lidhin rritjen e rasteve me uljen e ndërgjegjësimit të qytetarëve, ndryshe nga sa ndodhi në fillim të dhjetorit, që u reflektua më vonë në uljen e shifrave.

“Nëse do të shikoni në të gjithë vendet e Europës, numri i rasteve ka filluar të rritet. Të rinjtë kanë vazhduar të mblidhen, lokalet pavarësisht se janë ndaluar, shpeshherë mund të kenë qenë dhe të hapura”, shprehet Rovena Daja nga Instituti i Shëndetit Publik.

Ajo shton se vendi ynë e ka kaluar valën e dytë në fillim të muajit dhjetor të 2020-ës kur infektimet kapën shifra rekord, por u druhet pasojave të festimeve që mund të shfaqen në vazhdim.

“Ndoshta në janar dhe shkurt mund të kemi përsëri një rritje të numrit të rasteve dhe një përhapje të virusit, sepse në dy javët e fundit të dhjetorit qendrat tregtare kanë qenë të mbushura, njerëzit kanë shëtitur, janë takuar me njëri-tjetrin”.

RASTET

Ministria e Shëndetësisë raporton se edhe dje Tirana vijon të mbetet vatra kryesore e përhapjes së virusit me mbi 200 raste ditore, e ndjekur nga Durrësi, Vlora, Shkodra e Lushnja. Përkundrejt identifikimeve në rritje pas festave, numri i shtrimeve ka pësuar rënie edhe në 24-orëshin e fundit. Aktualisht në katër spitalet Covid po trajtohen 260 pacientë, prej të cilëve 19 në terapi intensive dhe tre në intubim.

Fatalitetet vijojnë të mbeten në numra njëshifrorë dhe në moshë mbi të pesëdhjetat.

“Me gjithë përpjekjet e mjekëve, 6 qytetarë të tjerë nuk e kanë fituar betejën me COVID-19: 2 qytetarë nga Tirana, 1 qytetar nga Durrësi, 1 qytetar nga Berati, 1 qytetar nga Elbasani, 1 qytetar nga Lezha, të moshave 57-84 vjeç”, thuhet në komunikatën e Ministrisë. Krahas rasteve të reja, qindra qytetarë kaluan dje ciklin dyjavor të kurimit duke u çliruar nga virusi duke e disbalancuar ndjeshëm këtë shifër me rastet aktive të identifikuara në të gjithë vendin. “Janë shëruar 551 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve 36,102 që nga fillimi i epidemisë”. Ekspertët e ministrisë kërkojnë prej qytetarëve që të mos neglizhojnë masat pasi koronavirusi është prezent dhe rrezikon të përhapet me shpejtësi.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN