MENU
klinika

Nga Enver Robelli

“Shoqëria serbe bazohet në matricën e krimit”

19.01.2021 - 12:03

Disa aktore që marrin guximin të denoncojnë strukturat e pushtetshme në shoqëri dhe një profesor aktrimi i arrestuar për përdhunime: si erdhi debati #MeToo në Serbi? Sado i rëndësishëm ky debat i hapur tani në Beograd mbi terrorin e «predatorëve» (kështu po quhen përdhunuesit duke i krahasuar me kafshë grabitqare), megjithatë diçka bie në sy: ky është debat për ngacmimin seksual të aktoreve serbe dhe jo debat mbi gratë boshnjake apo kosovare të përdhunuara gjatë luftërave pushtuese serbe në vitet 90-të. Dhe nuk është debat i gjerë publik mbi varrezat masive me shqiptarë anekënd Serbisë.

Nga Enver Robelli

Që nga fundjava Serbinë e ka përfshirë një debat mbi keqpërdorimet seksuale në një shkollë aktrimi në Beograd. Tri vite pas debatit të madh në mbarë botën mbi keqpërdorimet seksuale nga burrat me pushtet, në Serbi aktorja 25-vjeçare Milena Radulloviq ka marrë guximin dhe e ka denoncuar ish-profesorin e saj të aktrimit, Mirosllav Aleksiq. «Më ka përdhunuar kur isha 17-vjeçare», tha Radulloviq, e cila ka luajtur edhe në serinë «Besa» (ku luajnë edhe disa aktorë shqiptarë). Pas intervistës në gazetën «Blic», për krimet e Mirosllav Aleksiqit kanë raportuar edhe gra e vajza të tjera. Aleksiq është arrestuar.

Shkollën e tij të aktrimit e kanë ndjekur mbi 3000 të rinj (djem e vajza). Sipas aktores Radulloviq drejtori i shkollës Mirosllav Aleksiq pas regjistrimit të fëmijëve, u thoshte prindërve se nuk kanë çfarë të kërkojnë më në atë shkollë. Vajzat e moshës 13-14 vjeçare ai i pyeste nëse kanë pasur seks dhe nëse kjo u ka pëlqyer. Po ashtu ua bënte të qartë se mësimin duhet ta ndjekin të veshura me fustane. Mësimi fillonte me lutjen e krishterë «Ati ynë». Radulloviq tregoi se si Aleksiq i fuste vajzat në një dhomë afër klasës. «Dhe aty ndodhte», tha ajo.

Të hënën në ballinat e gati të gjitha gazetave serbe janë botuar fotografitë e aktores dhe regjisorit të dyshuar për krime të llahtarshme seksuale. Krimet i dënoi edhe shtypi bulevardesk serb, i cili për të gjeneruar klikime pothuaj çdo ditë merret me vrasje virtuale të njerëzve.

Regjisori Mirosllav Aleksiq me sa duket ishte person me ndikim në Serbi. Në vitet 90-të, si besnik i regjimit të Sllobodan Millosheviqit, ai punoi në televizionin shtetëror RTS, i cili ishte arma kryesore propagandistike e regjimit. Në vitin 1995 Aleksiq ka qenë regjisor i një filmi mbi dasmën e kriminelit të luftës Arkan dhe këngëtares së turbofolkut Ceca. Më 1993 Aleksiq ishte kandidat i partisë së Arkanit për parlamentin serb. Më parë ai e kishte shoqëruar Arkanin me kamerë në vendet e krimit në Kroaci.

Me intervistën e saj të guximshme Milena Radulloviq ka hapur «kutinë e Pandorës» në Serbi. Disa gazetarë serbë kanë shkruar se ky është skandali i vitit në Serbi. Pas aktores Radulloviq edhe një aktore tjetër ka vendosur të flasë publikisht: Iva Ilinçiq, 24-vjeçare, tha: «Para disa vitesh i thashë vetes: ‘Jo, Iva! Mika (Mirosllav Alleksiq) nuk të ka çelikosur për aktrim, nuk të ka testuar si aktore, por të ka keqpërdorur. Shumë të ka keqpërdorur! Dhe i ka keqpërdorur shumë të tjera. Dhe do t’i keqpërdorë. Kurrë s’do të ndalet’. (…) Fatmirësisht nuk jam e përdhunuar, s’kam përvojë të tillë, por vazhdimisht jam ngacmuar seksualisht. (…) Gjashtë vjet kam heshtur. Askujt nuk i kam thënë gjë. As nënës, as babait, as të dashurit të atëhershëm, të tanishëm… Askujt. Më vinte turp, e turpin e tij e mora mbi vete, ndihesha si bashkëpjesëmarrëse. Kam qenë e re, nuk e kam kuptuar se nuk kam qenë bashkëpjesëmarrëse, por viktimë e një njeriu tejet finok».

Mirosllav Alleksiq është marrë në pyetje nga prokuroria e Beogradit të hënën. I është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh për shkak se mund t’i përsërisë veprat dhe të ndikojë në dëshmitarë. Alleksiq dyshohet për tetë përdhunime dhe pesë «vepra të palejueshme gjinore», siç thuhet në ligjet serbe.

Si në çdo shoqëri (jo vetëm ballkanike) ka kriminelë që fajin (ose një pjesë të fajit) duan t’ua ngarkojnë viktimave. Kundër kësaj mendësie ka shkruar dramaturgia e njohur Biljana Sërblanoviq. Në profilin e saj në Facebook ajo nënvizoi: «Krimi seksual, e sidomos përdhunimi, dhe kjo është me rëndësi të kuptohet, nuk është seks. Është dhunë që si mjet ka marrëdhënien gjinore, prekjen e padëshiruar dhe të palejueshme, veprimet e turpshme nuk janë qëllim në vetvete: përdhunuesi para së gjithash ushtron dhunë kundër personalitetit të viktimës, kryen sulm tinëzar kundër shpirtit dhe qenies së saj, kundër vlerës së saj njerëzore dhe zhduk çdo gjë që ajo përfaqëson si njeri».

Moderatorja e njohur e lajmeve televizive Jelena Obuçina të hënën në mbrëmje e hapi emisionin e saj me 15 sekonda heshtje. Pastaj çfarë pasoi ishte një rafal kundër kulturës së heshtjes në Serbi: «Është e pakëndshme, por jemi mësuar të heshtim kur na vonohen rrogat, kur për 300 euro bartim pelena, kur fotografojmë fletëvotimet, kur nuk kemi ujë të pijshëm, kur na i helmojnë lumenjtë, kur s’ka vende në spitale, kur na rrahin në protesta, kur idiotët rrëzojnë një pjesë të qytetit, kur tezja i dërgon paratë nga Kanadaja (aludim në aferën e ministrit Aleksandar Vulin, i cili kishte thënë se për të blerë një banesë në Beograd, paratë ia kishte dërguar tezja e gruas nga Kanadaja, v.j.), kur zhduket incizimi nga sportelet për pagesë të autostradës (vetura në të cilën ndodhej një zyrtar i lartë serbë ka mbytur një grua pasi nuk e ka ulur shpejtësinë para sportelit, por nga kamera e sigurisë janë fshirë dy minuta vendimtarë për të dokumentuar krimin, v.j), kur zhduket incizimi nga Mitrovica (aludim në zhdukjen e incizimeve të kamerave të sigurisë nga vendi ku u vra Oliver Ivanoviqi), kur na gënjejnë për koronën, kur na i acarojnë raportet me fqinjët. Ne heshtim kur s’duhet të heshtim. Prandaj mos i pyesni kurrë viktimat pse kanë heshtur? Nuk keni të drejtë, por përkrahni që të flasin kurdo që janë të gatshme».

Aktoret që kanë denoncuar ngacmimet seksuale po përkrahen nga shumë figura nga skena e kinematografisë si Mirjana Karanoviq, e cila në filmin «Gërbavica» të regjisores nga Sarajeva Jasmila Zhabiq ka luajtur rolin e një gruaje boshnjake të përdhunuar nga serbët gjatë luftës në Bosnjë. Zhbaniq, e cila aktualisht është duke e promovuar filmin e saj mbi gjenocidin në Srebrenicë («Quo Vadis, Aida?»), në një prononcim shkroi: «Milena Radulloviq dhe koleget e saj kanë bërë revolucion në kulturën tonë të dhunshme. Jo vetëm që i kanë tejkaluar të gjitha barrierat patriarkale, por edhe kanë vendosur të veprojnë kundër tërë establishmentit (regjisori për të cilin po flitet dhe emrin e të cilit nuk ia vlen ta përmendim, është njeriu që ka qenë regjisor i dasmës së Arkanit dh Cecës)».

Regjisori Sërgjan Dragojeviq, ndonëse simpatizant i Partisë Socialiste (SPS) dhe autor i një filmi kontraverz («Lepa sela lepo gore»), zgjoi vëmendjen e opinionit me një deklaratë lidhur me skandalin e fundit në Serbi: «Është me rëndësi të kuptohet se ky krim i tmerrshëm është diçka që, në të vërtetë, është matrica në të cilën bazohet tërë shoqëria serbe». Sado i rëndësishëm debati i hapur tani në Serbi mbi terrorin e «predatorëve» (kështu po quhen përdhunuesit duke i krahasuar me kafshë grabitqare), megjithatë diçka bie në sy: ky është debat për ngacmimin e aktoreve serbe dhe jo debat mbi gratë boshnjake apo kosovare të përdhunuara gjatë luftërave pushtuese serbe në vitet 90-të. Dhe nuk është debat i gjerë publik mbi varrezat masive me shqiptarë anekënd Serbisë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Ministri i Ekonomisë: Duke bllokuar...

“Serbia po shkel Traktatin e Komunitetit të Energjisë”


Dhjetëra sinjalizime për korrupsion dhe shpërdorim detyre

REL: Kurti erdhi në pushtet me premtimin për “duar të pastra”, por…

Nënshkrimi i marrëveshjeve mes Shqipërisë dhe Kosovës

Albin Kurti: Kur bëhemi bashkë, edhe punët janë më të mira

Rindezja e konfliktit me Kosovën dhe rindërtimi i qeverisë

Vuçiç po përpiqet të largojë vëmendjen nga protestat