Kryeministri Edi Rama zbuloi prapaskenat e sigurimit të 500 mijë dozave të vaksinës kundër koronavirusit nga kompania Pfizer në Shqipëri.
Nga Stadiumi “Air Albania”, ku janë bërë përgatitjet për nisjen e vaksinimit pasditen e sotme, kryeministri Rama tha se këto vaksina u siguruan, para kohe, falë marrëdhënieve bilaterale të Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjatë fjalës së tij, Rama goditi edhe Bashkimin Evropian, teksa tha se drejtimi i përcaktuar prej tyre për t’u investuar në skemën e Covax është ende sot një drejtim i papërcaktuar, ndërsa zbuloi se vaksinat e para të ardhura në Shqipëri nuk janë bërë përmes Greqisë, por përmes një vendi tjetër të BE-së, të cilin kryeministri nuk ja tha emrin.
“Ndjehem i lehtësuar për faktin se jo vetëm kemi arritur në kushte aspak të lehta të garantojmë 500 mijë dozat e para të vaksinës Pfizer, por edhe të sigurojmë fillimin e vaksinimit para afatit, falë marrëdhënieve bilaterale, që janë kyçe në këtë proces të çuditshëm, ku faktikisht strategjia dhe drejtimi i përcaktuar nga BE për t’u investuar në skemën e Covax ka rezultuar që të jetë ende sot që flasim një drejtim i papërcaktuar në kohë. Pra, pavarësisht angazhimit me Covax të Shqipërisë dhe plot vendeve të tjera jashtë BE, nëse do të qëndronim në pritje të Covax do të ishim akoma duke pritur dhe nuk dihet ende sot sa do të zgjaste kjo pritje. Për këtë arsye ne jemi angazhuar me kanale të tjera intensivisht, ja kemi dalë të kontaktojmë drejtpërdrejt në Nju Jork Pfizer dhe të hapim me ta një kanal negociatash intensive të vështira, për shkak të pamundësive objektive. Njëkohësisht kemi hapur katër kanale të tjera bilaterale me katër vende të tjera. Vaksinimi që kemi sot është i kanalizuar me një vend të BE, që nuk jam i autorizuar ta bëj me dije. Meqë është thënë gabimisht se ky vend është Greqia, mund t’iu them që jo nuk është.
Jemi në kontakt, sepse ne i kemi sot të siguruar rrugën e vaksinës me doza të parashikuara muaj pas muaji, duke filluar nga java e tretë e janarit me kompaninë Pfizer, por qëllimi ynë është që të rrisim kapacitetin vaksinues, duke rritur prurjet e vaksinës Pfizer dhe me shpresë së shpejti duke hapur rrugën dhe për vaksinën AstraZeneca. Është lënë në diskreticionin e vendeve anëtare të BE, që të ndërtojnë marrëdhënie bilaterale me vendet joanëtare për sigurimin e vaksinës. Për çmimin nuk ka negociata, pasi është i njëjtë për të gjithë. Ka kanale ku veprohet me këmbim, pra një vend ka nevojë të garantojë më shumë doza në X kohë dhe një vend tjetër ja krijon mundësinë që këto doza t’i garantojë me shkëmbim. Pra, në momentin që vendi i parë i merr këto doza, i kthen ato në një moment të dytë, kur ka më shumë. E vetmja gjë është se nuk lëviz çmimi. Ky është një fakt i zhdërvjelltësisë sonë diplomatike dhe i aftësisë sonë për të bërë atë që duhet, duke shfrytëzuar kapacitetet tona diplomatike, por edhe respektin që kemi kërijuar këto vite te partnerët tanë. Patjetër, është fakt që në një garë lypësash për vendin e tyre, unë jam pretendent për vendin e parë”, deklaroi kryeministri Rama.