Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka folur për situatën politike para zgjedhjeve të 25 prillit në Shqipëri.
I pyetur nëse zgjedhjet mund të shtyhen për shkak të pandemisë, në një intervistë për A2CNN, Balla tha se zgjedhjet nuk mund të shtyhen, pasi edhe në vende të tjera janë zhvilluar në kohë pandemie, duke marrë si shembull zgjedhjet e dhjetorit në Rumani.
Por ai shtoi se Kushtetuta nuk i ka të përcaktuara rastet e moszhvillimit të zgjedhjeve, ndërsa tha që parësore është jeta e qytetarëve, ndaj do të dëgjohet edhe mendimi i ekspertëve.
“I kam ndjekur me vëmendje proceset zgjedhore në shumë vende. Zgjedhjet nuk mund të shtyhen. Në fillim të dhjetorit u mbajtën zgjedhjet në Rumani në kushtet e një përhapje të amdhe të rasteve të reja. Unë nuk dua të dal para fjalës së ekspertëve, por Kushtetuta nuk përcakton rastet e moszhvillimit të zgjedhjeve. Jeta e qytetarëve është parësore. Jam i sigurt që Shqipëria është në rrugën e duhur për të fiuar këtë betejë me pandeminë”, tha Balla.