Udhëtimi i task forcës së OBSH-së në Kinë për të hetuar origjinën e koronavirusit SARS-Cov-2 dhe shpërthimin e pandemisë nuk ishte krejtësisht një vrimë në ujë. I intervistuar nga CNN, kreu i ekspeditës Peter Ben Embarek zbuloi detaje të mëtejshme mbi hetimin që do të sugjeronte mundësinë që në dhjetor 2019 epidemia Covid-19 të ishte shumë më e gjerë sesa ajo që ishte njohur zyrtarisht dhe se virusi kishte disa kohë që qarkullonte.
Një epidemi shumë më e madhe
Pas kthimit të tij në Zvicër, Peter Ben Embarek raporton se sondazhi, i kryer me 16 kolegët e tjerë të OBSH-së së bashku me 17 shkencëtarë kinezë, lejoi qasjen në të dhëna të ndryshme të pabotuara. Rastet e konfirmuara të Covid-19 në Dhjetor 2019 në Kinë që i janë nënshtruar vlerësimit të task forcës së OBSH-së janë 174: raste të rënda simptomatike – nënvizon eksperti – të cilat me sa dimë sot përfaqësojnë një pakicë të infeksioneve totale. Për këtë arsye, ka të ngjarë që tashmë në atë kohë epidemia të ishte shumë më e gjerë sesa ajo që u njoh zyrtarisht, me mijëra raste të lehta dhe asimptomatike.
13 variante
Një arritje tjetër e OBSH ishte aksesi tek të dhënat e para gjenetike të mbledhura mbi koronavirusin, jo vetëm në mostrat nga të cilat ishte marrë sekuenca e plotë, por edhe ato të pjesshme. Kështu që ekspertët zbuluan se në dhjetor 2019 nuk kishte asnjë sekuencë të vetme gjenetike të koronavirusit, por krahas asaj më të përhapur, 12 të tjera tashmë qarkullonin. Sars-Cov-2, me pak fjalë, tashmë kishte ndryshuar disa herë në fund të vitit 2019.
Embarek nuk dha shumë detaje për rëndësinë e këtij zbulimi, por thjesht theksoi se 13 variantet mund të siguronin të dhëna për të gjetur vendin e origjinës së Sars-Cov-2 dhe kohën e përhapjes masive (takimi me pacientin e parë Covid nuk ishte iluminues dhe nuk ishte e mundur të përcaktohej nëse gjithçka filloi nga tregu i në Huanan). Por ekspertë të tjerë besojnë se kjo do të thotë më shumë: nëse vërtet në dhjetor 2019 kishte tashmë 13 variante në Kinë, kjo do të thotë që virusi po qarkullonte për më shumë se një muaj dhe se kishte kohë për të grumbulluar mutacione, duke konfirmuar analiza të kryera gjithashtu ndërkombëtarisht.
Aksesi në bazat e të dhënave
Sidoqoftë, Embarek tha për CNN, se aktualisht nuk ka raporte të virusit para dhjetorit 2019. Task forca shikoi analizat e 92 rasteve të dyshuara të Covid-19 midis tetorit dhe nëntorit 2019, duke kërkuar që po këta njerëz të kryejnë një test për të zbuluar ndonjë antitrupë kundër Sars-Cov-2. 67 njerëz pranuan dhe të gjithë rezultuan negativ. Asgjë përfundimtare, megjithatë, nuk mund të thuhet pasi nuk dihet nëse antitrupat janë të zbulueshëm një vit më vonë. Sidoqoftë, ajo që mund të bëjë ndryshimin do të ishte qasja në mijëra mostra të ruajtura në bankat kineze të gjakut, të cilat nuk janë në dispozicion për momentin. (CNN)