Ministria e Shëndetësisë i është përgjigjur Urdhrit të Farmacistëve, të cilët kanë bërë një kërkesë që të përfshihen në grupet e prioritetit në procesin e vaksinimit kundër Covid.
Në letrën e Ministrisë së Shëndetësisë thuhet se plani kombëtar i vaksinimit është hartuar nga specialistë në ISHP dhe është bazuar në rekomandimet ndërkombëtare.
“Në përgjigje të kërkesës suaj drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nëpërmjet së cilës kërkohet përfshirja e farmacistëve në grupet me prioritet në procesin e vaksinimit kundër COVID-19 ju bëjmë me dije se: Plani kombëtar i vaksinimit ndaj COVID është hartuar nga ekspertë, specialistë në Institutin e Shëndetit Publik në politikat e vaksinimit dhe është bazuar në rekomandimet ndërkombëtare në lidhje me vaksinimin.
Vaksinimi ndaj COVID po kryhet sipas fazave dhe grupeve të përcaktuara në këtë plan. Duke iu falënderuar për mirëkuptimin”, thuhet në letrën që mban firmën e zv/ministres së Shëndetësisë Mira Rakacolli.
Ndërkohë si reagim, Urdhri i Farmacistëve thotë se si Amerika, Kanadaja, Anglia apo Gjermania i kanë prioritet edhe farmacistët.
“Duam të dimë nga kjo Ministri, cilave rekomandime ndërkombëtare ju referohet saktësisht, pasi vende si Amerikë, Kanada, Angli, Gjermani farmacistin e kanë në ekipin prioritar për t’u vaksinuar, madje ata farmacistin dhe farmacinë, i shohin si profesionistë dhe institucione pjesëmarrëse në strategjinë e vaksinimit të popullatës. Zotërinj që bëni “politikat” e vaksinimit në Shqipëri, ju nuk mund të talleni me farmacistët, ju thjesht po tregoheni të papërgjegjshëm në detyrimin që keni karshi mbrojtjes së shëndetit të tyre. Farmacistët janë në vijën e parë të përballimit të pandemisë, është detyrimi juaj t’i përfshini ata në planin prioritar të vaksinimit”