Dërgesa e radhës nga kompania “Pfizer” do të mbërrijë të hënën tjetër, ndërsa ende nuk ka asnjë sinjal për vaksinat nga “AstraZeneca”, që u tha se do të mbërrinin brenda 10- ditëshit të parë të këtij muaji.
Nga Spitali Infektiv, ministrja Manastirliu tha se deri më tani janë kryer mbi 20 mijë vaksina, ndërsa brenda kësaj jave pritet që të përmbyllet procesi i vaksinimit për personelin shëndetësor.
“Unë jam e kënaqur që brenda kësaj jave përfundojmë vaksinimin e ekipeve tona mjekësore, infiermierore dhe ky është një hap drejt fitores ndaj virusit, por nuk është mjaftueshëm sepse, në fakt, e gjithë popullata, sidomos ato të cilët janë grupe prioritare, do të vijojnë vaksinimin, ashtu sikurse ne jemi duke bërë. Më shumë se 20 mijë vaksinime janë kryer deri tani, presim të hënën të vijnë dozat e tjera të kontratës së “Pfizer”, për të vijuar vaksinimet e të gjithë personelit dhe të moshuarve që tashmë i kemi kryer me dozën e parë.
Presim nga COVAX të vijnë dozat e vaksinës “AstraZeneca” dhe do të njoftohemi besoj në një moment të shpejtë për datën e mbërritjes së 14,400 vaksinave nga instrumenti COVAX”, tha Manastirliu.
Dje janë kryer vetëm 636 doza. Me këto ritme vështirë të përmbushet angazhimi për vaksinimin e të gjithë stafeve mjekësore deri në përfundim të kësaj jave. Kujtojmë që në të gjithë vendin janë rreth 23 mijë mjekë dhe infermierë dhe nëse secili prej tyre merr dy doza, atëherë do të duhet që të kryhen 46 mijë vaksina anti-Covid. Më herët, ministrja Manastirliu ka bërë me dije se me mbërritjen e vaksinave nga “AstraZeneca” do të nisë vaksinimi në radhët e arsimtarëve.
RASTET
E marta ka regjistruar më pak raste të reja dhe më pak fatalitete, por ajo që bie në sy është shtimi i pacientëve në spital. Kështu, në 24 orët e kaluara janë konfirmuar pozitivë 629 persona. Ndërsa, aktualisht janë 35,737 raste aktive me COVID-19.
“Situata e COVID-19 në 24 orët e fundit është si vijon: Janë kryer 3197 testime, nga të cilat kanë rezultuar pozitivë 629 qytetarë. Rastet pozitive të konfirmuara janë identifikuar në këto bashki: 257 raste në Tiranë, 48 raste në Shkodër, 24 raste në Lushnje, 22 raste në Librazhd, 21 raste në Durrës, 20 raste në Korçë, 19 raste në Elbasan, 18 raste në Berat, 17 raste në Fier, 16 raste në Lezhë, 14 raste në Vlorë, Mirditë, Kuçovë, 11 raste në Krujë, Gjirokastër, 10 raste në Pogradec, 8 raste në Kavajë, Tepelenë, 6 raste në Kukës, Përmet, Malësi e Madhe, 5 raste në Mallakastër, Kolonjë, 4 raste në Devoll, Pukë, Kamzë, 3 raste në Kurbin, Divjakë, Përrenjas, Cërrik, 2 raste Rrogozhinë, Sarandë, Dibër, Peqin, Memaliaj, Gramsh, Shijak, 1 rast në Has, Tropojë, Mat, Vau i Dejës, Fushë-Arrëz, Selenicë, Bulqizë, Skrapar, Vorë, Poliçan, Dropull”, bëhet me dije nga autoritetet.
FATALITETET
Dje janë raportuar edhe 13 humbje jete si pasojë e koronavirusit. “Me gjithë përpjekjet e stafit mjekësor, 13 qytetarë e kanë humbur betejën me COVID-19: 3 qytetarë nga Tirana, 2 qytetarë nga Vlora, 1 qytetar nga Durrësi, 1 qytetar nga Shkodra, 1 qytetar nga Fieri, 1 qytetar nga Lushnja, 1 qytetar nga Përmeti, 1 qytetar nga Tepelena, 1 qytetar nga Librazhdi, 1 qytetar nga Gramshi, të moshave 57-85 vjeç”. Por, pavarësisht kësaj, shtrimet në spital janë rritur ndjeshëm në 24 orët e kaluara. Aktualisht, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, në spitalet COVID në Tiranë dhe tri spitalet rajonale po trajtohen 661 pacientë, 43 në terapi intensive, nga të cilët 14 pacientë janë të intubuar.