Kryeministri britanik Boris Johnson ka bërë vaksinën e Oksfordit dhe AstraZenecas, pikërisht në të njëjtin spital të Londrës ku ai u shtrua në Prill të vitit të kaluar i prekur rëndë nga koronavirusi.p
Britania ndërkohë ka shënuar një rekord ditën e premte duke bërë numrin me të lartë të vaksinimeve me shifrën e 660 mijë vaksinave të bëra brenda një ditë.
Ai është 56 vjeç dhe në bazë të kriterit të moshës mbi të cilën bëhen vaksinat në Britani, thjesht atij dje i ka ardhur radha për ta bërë vaksinën, edhe pse mund ta bënte më herët për të inkurajuar britanikët që hezitojnë ta bëjnë vaksinën sidomos në radhët e minoriteteve dhe popullsisë me ngjyrë.
Menjëherë pas vulosjes përfundimtare nga rregullatori evropian dhe më herët ai britanik për sigurinë dhe efikasitetin e kësaj vaksine, kryeministri britanik i jep mbështetjen më të madhe publike kësaj vaksine me të cilën janë imunizuar mbi gjysma e britanikeve që janë vaksinuar deri më tani. Johnson e bëri vaksinën pikërisht në spitalin St Thomas të Londrës ku një vit më parë ai pati takimin me vdekjen, pas infektimit me covid si i pari kryeministër në botë që infektohej në atë kohë dhe tejet i kritikuar për mënyrën e papërgjegjshme të qasjes ndaj virusit në fillim të pandemisë e cila i ka kushtuar shumë Britanisë.
Pas daljes nga spitali ai u tha britanikeve dhe jo vetëm atyre, se “ të gjithë kur të merrni njoftimin për të bërë vaksinën, bëjeni ju lutem është gjëja më e mirë që mund t’i bëni vetes, familjes tuaj dhe gjithë të tjerëve.”
Britani ka vaksinuar momentalisht mbi 27 milionë banorë ose mbi gjysmën e popullisë së saj që duhet vaksinuar, ndërkohë që të premten ka shënuar një rekord, duke bërë numrin më të lartë të vaksinimeve me shifrën e 660 mijë vaksinave të bëra brenda një dite.