MENU
klinika

Nga skenarët në shkolla tek vaksinimi i mësuesve

Drejtoresha e ZVA Tiranë, Erjeta Alhysa: Ja si po shkon procesi

20.03.2021 - 13:40

E ndërsa rastet me COVID-19 kanë qenë të larta në vendin tonë, padyshim që një nga kategoritë më të rrezikuara kanë qenë dhe mësuesit. Pavarësisht kushteve të vështira prej koronavirusit, ata kanë punuar fort, duke ndihmuar për ta çuar deri në fund misionin e tyre. Vetëm në sistemin arsimor parauniversitar janë gjithsej rreth 30 mijë punonjës arsimorë, një pjesë e mirë e të cilëve janë vaksinuar.

Në shkollat ‘Ismail Qemali’, ‘Petro Nini Luarasi’ dhe ‘4 Dëshmorët’, u hapën qendrat e vaksinimit, të cilat u bënë mikpritëse edhe për gjithë shkollat e tjera. Drejtoresha e Zyrës Vendore Arsimore Tiranë, znj. Erjeta Alhysa në një bisedë për ‘Gazeta Shqiptare’ ka treguar se procesi i vaksinimit po shkon më së miri dhe se deri më tani ka pasur pak refuzime, nëse mund të quhet kështu. Kjo jo për të mos e bërë vaksinën, por duke qenë se sapo e kanë kaluar Covid dhe sipas protokolleve shëndetësore duhet të kalojnë të paktën tre javë sa të krijojnë anti-trupa dhe më pas do t’i nënshtrohen procesit normal të vaksinimit. Madje, ajo shtoi se dje ka pasur një dyndje mësuesish për t’u vaksinuar. Kjo nisur edhe nga fakti se Agjencia Europiane e Barnave (EMA) njoftoi se nuk ka asnjë provë që vaksina AstraZeneca të shkaktojë mpiksje të gjakut. “Procesi i vaksinimit po shkon më së miri. Mësuesit kanë marrë dozën e parë dhe ndryshe nga çfarë është deklaruar, nuk ka pasur probleme. Të paktën deri më tani nuk ka pasur ndonjë rast të përkeqësimit të mësuesve pas marrjes së vaksinës.

Mund të kenë pasur ndonjë temperaturë deri në 37.5 apo dhimbje kyçesh, efektet normale të vaksinës. Ata kanë vijuar normalisht punën”. Pyetjes se a ka pasur refuzime nga ana e stafit pedagogjik për t’u vaksinuar, Alhysa u shpreh: “Jo! Madje mund të them se dje ka pasur edhe një dyndje mësuesish për të marrë dozën e parë të vaksinës, kjo nisur dhe nga fakti se Agjencia Europiane e Barnave (EMA) njoftoi se nuk ka asnjë provë që vaksina AstraZeneca të shkaktojë mpiksje tëgjakut. Ky vendim nxiti shtetet që kanë siguruar doza të kësaj vaksine, të rinisin qetësisht injektimin në popullatë. Vetëm disa mësues e kanë shtyrë atë, pasi sapo e kanë kaluar Covidin dhe janë konsultuar me mjekët për ta bërë në një moment të dytë, por jo se e kanë refuzuar”.

SKENARET – E ndërsa vaksinimi i mësuesve është një garanci për t’u çliruar edhe më tej nga virusi dhe për t’ju kthyer normalitetit, masat e izolimit si pasojë e pandemisë së Covid-19 sollën, ndër të tjera, sfida të reja dhe të paeksploruara më parë në procesin e mësimdhënies. Mësuesit, nxënësit dhe prindërit u përballën me nevojën për të njehsuar nevojat e mësimit me inovacionet teknologjike. Por si po shkon ky proces deri më tani, a ka pasur vështirësi? Lidhur me këtë, Drejtoresha e Zyrës Vendore Arsimore Tiranë, znj. Erjeta Alhysa theksoi se gjërat po shkojnë mirë. Sipas saj, protokollet e sigurisë në tërësi janë zbatuar nga strukturat arsimore, gjë që është reflektuar edhe në shifra. “Nuk ka pasur vështirësi të paktën deri më tani. Gjithçka është në normalitet, pavarësisht situatës së vështirë që po kalojmë. Skenarët po funksionojnë, mësuesit dhe nxënësit janë përshtatur më së miri tanimë me këtë proces.

Shpresojmë se do ta kalojmë këtë situatë sa më shpejt dhe t’i rikthehemi normalitetit”, përfundoi Alhysa. Në Shqipëri kanë mbërritur mbi 80 mijë vaksina Pfizer dhe AstraZeneca, ndërsa pritet rritja e sasisë së vaksinave në javët në vijim. Deri tani qeveria shqiptare ka siguruar 1,6 milion doza vaksinash për 800 mijë qytetarë, nëpërmjet kontratave me Pfizer dhe mekanizmit COVAX. Në të gjithë Shqipërinë janë 41 shkolla deri tani, ku është hapur procesi i vaksinimit. Komiteti Kombëtar i Vaksinimit dhe Komiteti i Imunizimit po vlerësojnë situatën hap pas hapi. Deri tani janë kryer rreth 30 mijë vaksinime për personelin shëndetësor, të moshuarit dhe mësuesit në të gjithë vendin.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



“Për 4 vite në pushtet shpiku idenë e kombit kosovar”

Kreshnik Spahiu: Kurti harroi premtimet

"U kthye në një sebep që shoqëria të futej në përleshje se kush e ka fajin"

Vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani, kryeministri Rama: S’mund të parandalohet të gjitha ngjarjet

Kryqëzimet kryesore në Tiranë që do të bllokohen

Protesta e PD-së më 23 Dhjetor, zbardhet plani i opozitës!

Arabia saudite paralajmëroi autoritetet gjermane për 50-vjeçarin, por…

Mjeku përplasi turmën e njerëzve në tregun e Krishtlindjes, shkon në 4 numri i viktimave!

Aktiviteti do të ushtrohet në zona të caktuara që do të jepen me qira!

Nga 2025 lejohet gjuetia, çfarë parashikon vendimi!