MENU
klinika

Pas takimit maratonë në Berlin mes...

Gjermani: Zbutje graduale të masave kufizuese ndaj koronavirusit

04.03.2021 - 12:01

Pas takimit maratonë në Berlin mes federatës dhe landeve u vendos të nisë hapja graduale në sektorin e tregtisë me pakicë. Nga 8 marsi dyqanet hapen në zonat me incidencën nën 50 infeksione për 100.000 banorë në 7 ditë.

Nëntë orë zgjatën konsultimet (03.03) mes kancelares Angela Merkel dhe kryeministrave të Landeve lidhur me ecurinë e mëtejshme të masave kufizuese prej pandemisë së koronavirusit. Lockdown aktualisht në fuqi deri më 7 mars do të zbutet gradualisht. Nga 8 marsi do të lejohet hapja e dyqaneve në zonat që kanë një kuotë të ulët infeksionesh, nën 50 për 100.000 banorë në intervalin kohor prej shtatë ditësh.

Blerje “klick and meet”

Në rast se incidenca është mbi 50 do të aplikohet sistemi i blerjeve “klick and meet”, klienti mund të rezervojë një orar të caktuar me dyqanin përkatës për blerjen. Me një incidencë me më shumë se 100 infeksione përgjatë tri ditëve në zonën e prekur do të mbyllen sërish dyqanet dhe aktivitetet e tjera. Sa i përket sektorit të gastronomisë, kancelarja Merkel në konferencën e shtypit tha, se në rast se incidenca nën 50 është e qëndrueshme në harkun kohor të 14 ditëve, atëherë mund të hapen lokalet që ofrojnë shërbime në mjedise të hapura.

Nëse shifrat e infeksioneve do të jenë në rënie është vendosur edhe hapja graduale e aktiviteteve të tjera. Me incidencë nën 100 raste të reja për 100.000 banorë me respektimin rigoroz të rregullave të higjenës mund të hapen edhe muzetë, kopshtet zoologjike e botanike si dhe vendet përkujtimore. Ndërsa me incidencën nën 50 aksesi do të jetë më i lehtë në të gjitha aktivitetet e kohës së lirë.

Hapje me “frenë emergjence”

Lidhur me ecurinë e çalë të vaksinimit synohet që duke nisur nga fillimi i prilit në këtë proces të involvohen më shumë se deri tani mjekët ekspertë dhe mjekët e familjes. Aktualisht vaksinimi zhvillohet vetëm në qendrat e krijuara enkas.

Eshtë vendosur gjithashtu që duke nisur nga 8 marsi çdo qytetari do t’i ofrohet një test i shpejtë ndaj koronavirusit falas, vuri në dukje kancelarja pas konsultimeve me kryeministrat e landeve. Qendrat lokale të testimit do të venë në dispozicion infrastrukturën e nevojshme.

Merkel e quajti këtë një „tranzicion në një fazë të re”. Megjithatë ajo thekson, se nuk duhet të jemi të shpenguar, por të kemi shpresa të bazuara. Eshtë e rëndësishme që „hapat e mëtejshëm të bëhen me mençuri.”

Federata dhe landet ranë dakord për të ashtuquajturën „frena e emergjencës” në rast se incidenca shtatë ditore arrin në 100. Në një rast të tillë duhet të sprapsen vendimet për hapjen./DW.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



“Për 4 vite në pushtet shpiku idenë e kombit kosovar”

Kreshnik Spahiu: Kurti harroi premtimet

"U kthye në një sebep që shoqëria të futej në përleshje se kush e ka fajin"

Vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani, kryeministri Rama: S’mund të parandalohet të gjitha ngjarjet

Kryqëzimet kryesore në Tiranë që do të bllokohen

Protesta e PD-së më 23 Dhjetor, zbardhet plani i opozitës!

Arabia saudite paralajmëroi autoritetet gjermane për 50-vjeçarin, por…

Mjeku përplasi turmën e njerëzve në tregun e Krishtlindjes, shkon në 4 numri i viktimave!

Aktiviteti do të ushtrohet në zona të caktuara që do të jepen me qira!

Nga 2025 lejohet gjuetia, çfarë parashikon vendimi!