Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti tha nga Tiranë se do të votojë në zgjedhjet e 25 prillit. Gjatë një konferencë për mediat nga selia e VV-së në kryeqytetin shqiptar, kreu i kësaj force politike në Kosovë bëri thirrje që shqiptarët të votojnë për tre kandidatët në Tiranë, Lezhë dhe Gjirokastër.
“Qarku i Tiranës duhet të votojë Bojken Abazin, qarku i Lezhës Iliaz Shehun dhe qarku i Gjirokastrës duhet të votojë Kreshnik Merxhanin dhe unë do të vij të votoj në 25 prill”, tha Albin Kurti.
Albin Kurti bëri të ditur se sapo të krijohet qeveria në Kosovë do të nisë bashkëpunimi me qeverinë e Shqipërisë.
“Sapo të zgjidhet qeveria e re në Kosovë menjëherë do të fillojmë bashkëpunimin me Shqipërinë, bashkëpunimin me kryeministrin Edi Rama meqë do formojmë në qeverinë para zgjedhjeve këtu.
Në këto 7 vite numri i marrëveshjeve Kosove-Shqipëri është 3 shifrorë, ndërsa numri i zbatimeve është një shifrorë. Është e domosdoshme të shkojmë nga marrëveshjet e shkruara në zbatim real. Bashkëpunimin me cilindo kryeministër në Shqipëri do ta kemi të shkëlqyer”, tha Kurti.