MENU
klinika

"Situata me Covid-19, katastrofike"

Marrëveshja PD-LSI/ Lubonja: Do të ketë përpjekje nga PS për…

01.03.2021 - 18:07

Fatos Lubonja komentoi në News24, marrëveshjen e arritur sot mes dy partive opozitare, PD dhe LSI, për zgjedhjet e 25 prillit ku e konsideroi si mjaft të moralshme.

Analisti tha se në këtë mënyrë do maksimalizohen votat për fitoren e opozitës.

“Është një mesazh që nënkupton një angazhim moral përpara elektoratit, që nuk do të bëjnë lojëra nesër me Edi Ramën. Unë kam qenë i idesë që do duhej të kishte pasur një koalicion tamam me një listë dhe me një program, që do duhet të tregonte pikat e përbashkëta që këto kanë, që për mua është rivendosja e një normaliteti në Shqipëri, rikthimi i pluralizmit, pra themelet e kërcënuara të shtetit nga kapja prej një partie të vetme.

Sa i përket politikave të ndryshme që mund të kenë PD dhe LSI, këto duhet të ishin sekondare.

Ky mesazh që japin e tregon pak a shumë atë shqetësimin e parë, por ndoshta jo në forcën e duhur, ndonëse mbetet e hapur se sa efikas është, dhe këtë do ta tregojë rezultati i zgjedhjeve. LSI mund të marrë votat e majta dhe PD mund të marrë votat e djathta dhe maksimalizohet zona kështu, duke qenë dy koalicione.

Mbetet për t’u parë sa efikase është kjo dhe sa mund të ishte koalicioni i vërtetë me një listë, ku sipas mendimit tim, duhet të ishte punuar më shumë në atë koalicionin e madhe, përtej PD dhe LSI, me një sakrifikim më të madh”, tha Lubonja, ndërsa shtoi se “Asnjëherë nuk mund ta thuash me bindje që marrëveshja PD-LSI u jep fund spekulimeve për ndërrim kahu në varësi të rezultateve, më e sigurt do të ishte koalicioni i përbashkët. Kështu që nuk i jep fund, do të ketë përpjekje nga mazhoranca. Por mbetet ende e paqartë, nëse PD dhe LSI do të konsiderohen koalicion pas zgjedhjeve”.

Më tej, analisti Lubonja foli dhe për situatën e krijuar nga pandemia e koronavirusit, duke thënë se situata në vendin tonë është katastrofike.

“Gjëja e parë që mund të them është se unë personalisht jetoj në dy shtete, meqë kam familjen në Itali, shkoj e vij, edhe në Shqipëri padyshim. Ndjek lajmet e të dy shteteve, ndjeshmërinë që transmetojnë lajmet, emisionet, debatet. Ajo që vë re është se ndërkohë që në Itali është lajm i parë, shqetësim i parë, në Shqipëri mbetet lajm i tretë, përpara luftës për pushtet që bëjnë partitë. Më duket se është në traditën tonë që politika ka uzurpuar gjithçka, uzurpon kulturën, jetën artistike, etj.

Pastaj për të hyrë më konkretisht te çështja e pandemisë, unë kam ndjesinë se menaxhimi te ne ka qenë një test stres i qeverisë, një test që tregon gjendjen katastrofike. Është si të bësh analizat e gjakut dhe të dalin të gjitha të zhbalancuara. Në Itali jepet përditë numri i testeve, që është deri në 300 mijë, ne kemi 3-4 mijë teste dhe na dalin 1 mijë të infektuar, që tregon se shkalla e infektivitetit është 25% te ne.

Kjo nuk është e vërtetë, sepse ne testojmë vetëm ata që janë të sëmurë. Kjo tregon një mungesë shtrirjeje, kontrolli, menaxhimi. Ka dhe diçka tjetër, që ne nuk e kemi atë që nxjerr mutacionet e koronavirusit. Kur ka kaq shumë gënjeshtra, kjo është t’i kesh lënë njerëzit në mëshirë të Zotit. Unë e gjykoj që ne jemi komplet zonë e kuqe, nëse do të ishim në Itali.

Kjo do të thotë komplet mbyllje në shtëpi. Kjo është përsëri shenjë e katastrofës. Për të mos folur pastaj për numrin e vdekjeve, për sa kurohen në shtëpi, që të gjitha janë të panjohura. Është katastrofë, është si gjendje lufte, ku sa ka mbaruar lufta. Imagjino sa njerëz kurohen në shtëpi, sepse njerëzit nuk kanë besim të shkojnë në spital, pasi thonë vdes aty”, u shpreh ai.