Kryeministri Edi Rama ka treguar disa nga çështjet kryesore të bisedës me Presidentin Emannuel Macron, gjatë vizitës së djeshme në Francë.
Kreu i qeverisë, përmes një prononcimi për mediat, ka thënë se në takimin me Macron, drejtuesi i një shteti mik si Franca, janë diskutuar shumë çështje të rëndësishme duke përmendur temën e integrimit në Bashkimin Europian, marrëdhëniet bilaterale, investimet europiane në vend, mini-Shengenin Ballkanik si dhe marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë.
Fillimisht, Rama tha se kjo vizitë pune erdhi me kërkesë të Presidentit Francez Macron, i cili e priti atë pas 3 vitesh në Pallatin “Élysée” në Paris.
Kreu i qeverisë tha se në takimin me kreun e shtetit francez, në mënyrë të veçantë u diskutua gjerësisht mbi investimet franceze në Shqipëri me qëllim zhvillimin e vendit.
Rama tha se programi i Agjencisë Franceze për Zhvillim do të vazhdojë me të tri projektet e rëndësishme, ku dy janë në përmirësim të sistemit energjetik të vendit dhe ai për përfundimin e rrjetit të ujësjellësit të Durrësit.
Nga Parisi, Kryeministri u premtoi qytetarëve durrsakë se falë mbështetjes së mikut të tij Macron, pas kërkesës së bërë menjëherë pas tërmetit të 26 nëntorit, do të përfundojë projekti i ujësjellësit të Durrësit.
Gjatë bisedës me presidentin Macron, Rama tha se është folur gjatë edhe për situatën në rajonin e Ballkanit dhe mundësisë së anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE.
Për Kryeministrin, Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kushtet, ndërsa është në dorë të vetë Bashkimit Europian dhe situatës brenda Këshillit Europian. Sipas tij, ky është një proces që vazhdon dhe se në të nuk ka asnjë sekret që qytetarët nuk e dinë.
Sa u përket marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe procesit të dialogut mes tyre, Rama tha se nuk ishte njeriu i duhur për të ndërmjetësuar për këtë çështje, pasi ai është palë dhe si i tillë do të mbronte interesin e Kosovës dhe Shqipërisë, duke i konsideruar ato një pavarësisht kufijve shtetërore.
Kryeministri theksoi se iu takon udhëheqësve në Kosovë që të çojnë përpara dialogun. Vizita në Paris e Kryeministrit Rama vjen në kohën kur Shqipëria është në prag të nisjes së fushatës elektorale të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, të cilat do të përcaktojnë edhe qeverinë dhe Kryeministrin e ardhshëm.
Po ashtu, takimi midis tyre ndodhi në të njëjtën ditë kur në Shqipëri mbërritën si dhuratë nga Princi i Kurorës së Emirateve të Bashkuara Arabe, dhjetë mijë doza të vaksinave Ruse, “Sputnik V”, ndërsa më parë Rama pati kritikuar BE-në për mungesë solidarizimi me Ballkanin për shpërndarjen e vaksinave anti-COVID.
BISEDA ME MACRON
Ishte një ftesë e Presidentit me të cilin kishim disa kohë që nuk ishim takuar. Ai dëshironte të kalonte një drekë pune me mua, për të diskutuar mbi marrëdhëniet bilaterale, ecurinë e programit të Agjencisë Franceze për Zhvillim, e cila është angazhuar për financimin e tri projekteve të rëndësishme, ku projekti më i rëndësishëm është investimi për finalizimin e gjithë punës që duhet bërë për të përmbyllur investimet tërësore të bëra në ujësjellësin e qytetit të Durrësit dhe për të garantuar më në fund, edhe për Durrësin, 24 orë ujë pa ndërprerje, një angazhim që ia kërkova dhe Presidenti e mori pas tërmetit.
Po ashtu, një financim tjetër i rëndësishëm për sistemin elektroenergjetik, si dhe një tjetër program për gratë dhe vajzat që është shumë interesant që do ta zbatojmë së bashku me Agjencinë Franceze të Zhvillimit.
Njëkohësisht, folëm edhe për investimet e Francës në energji në Shqipëri, ku kompania “Voltalia” po investon për parkun më të madh fotovoltaik të rajonit, faktikisht, në Karavasta dhe po ashtu edhe në 1 apo 2 projekte të tjera me rëndësi.
Kemi folur për planin europian të investimeve për Ballkanin që është tanimë një plan i financuar dhe ku ne jemi aktivisht të angazhuar për të marrë financime për disa projekte të rëndësishme me impakt kombëtar dhe rajonal në transport, në infrastrukturë dhe digjitalizim.
Natyrisht kemi qëndruar gjerë e gjatë në situatën në rajon, në ecurinë e marrëdhënieve ndërmjet vendeve të rajonit për procesin e dialogut midis Serbisë dhe Kosovës, për procesin e implementimit të katër lirive të BE-së në kuadrin e Shengenit Rajonal dhe për tema të tjera, që kanë zënë edhe ato pjesën e tyre të bisedës së gjatë.
Do jeni ndërmjetës mes Kosovës dhe Serbisë për të përafruar qëndrimet e tyre?
Nuk jam njeriu i duhur për të ndërmjetësuar midis Kosovës dhe Serbisë, sepse unë jam palë dhe si palë, unë mbroj detyrimisht interesat e Shqipërisë dhe të Kosovës bashkë. Ky është një proces ku u takon udhëheqësve në Kosovë të çojnë përpara dialogun, ashtu siç ato e mendojnë të arsyeshme.
Natyrisht, me gjithë mbështetjen time dhe të qeverisë, sot dhe nesër, në Tiranë, natyrisht në momente të caktuara mund të kemi qasje të ndryshme për si të arrijmë te qëllimi, por qëllimi është absolutisht i njëjtë dhe unë jam palë.
Morët sinjale sa i përket procesit të integrimit?
Është një proces që vazhdon. Unë e kam thënë dhe e përsëris që s’ka asnjë sekret.
Është sekreti më i madh publik, nëse mund ta themi, që ne i kemi bërë detyrat tona dhe gjithçka do varet nga situata brenda për brenda Këshillit Europian dhe nga dinamikat brendapërbrenda vendeve të BE-së. Kështu që kjo është një gjë e ditur dhe s’ka nevojë për t’u zgjatur në këtë.