MENU
klinika

Me garanci turke! Po përdoret vetëm në vende si Tajlanda apo Filipinet

Pa ekspertizën e SHBA e BE, Shqipëria merr me kontratë sekrete vaksinën kineze

24.03.2021 - 12:44

Rreth një javë pasi qeveria i hapi rrugën e negociatave për sigurimin e sa më shumë vaksinave nga çdo vend i mundshëm prodhues, Shqipëria bën marrëveshjen e parë.

Pas dhjetë mijë dozave “Sputnik V” dhuratë nga Emiratet e Bashkuara Arabe, vendi ynë do të marrë një tjetër sasi të papërcaktuar vaksinash nga Lindja. Njëjtë si vaksinat ruse, kinezet nuk do të vijnë nga vendi i origjinës, por nga Turqia, përmes një kontrate sekrete të lidhur midis Ministrisë së Shëndetësisë dhe një kompanie distributore: “Keymen Ilaç Sanayi Ticaret”.

Në publikimin surprizë në Fletoren Zyrtare pasditen e djeshme, mësohet se kompania në fjalë do të furnizojë Shqipërinë me vaksinën “Corovax”, krijuar nga firma kineze “Sinovax”. Kjo e fundit ka kaluar filtrin e certifikimit për përdorim emergjent në vendin prodhues, por jo atë të rregullatorit europian apo amerikan të barnave. Ndryshe nga “Sputnik V” që po vlerësohet nga EMA dhe gati për të nisur përdorimin në shkallë të gjerë, vaksinat kineze që pritet të vijnë në Shqipëri nuk kanë kaluar në asnjë lupë të autoriteteve shëndetësore përtej Kinës dhe as nuk po bëjnë përpjekje që të përdoret. Kështu, e vetmja e përbashkët midis dy vaksinave të reja, është se nuk janë të autorizuara ende nga Agjencia Europiane e Barnave dhe që të dyja Shqipëria i merr përmes vendeve të treta.

“50.6% EFIKASITET”

Në garën për të siguruar sasi, vendi ynë ka ulur stekën sa i takon cilësisë. Në morinë e vaksinave të aprovuara dhe me nivel të lartë besueshmërie, Shqipëria duhet të paguajë para për një vaksinë me efikasitet thuajse sa gjysma e të parave. Është shefja e sëmundjeve infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino, ajo që e pohon këtë, në përpjekjen për të bindur se vaksina kineze i ka dhënë provat në popullatë që vlen. “Kjo vaksinë i ka filluar provat e fazës së tretë që në korrik të 2020-ës në Kinë, ka filluar po ashtu në Brazil, Turqi, Kili, të cilat kanë vlerësuar efikasitetin ndaj sëmundjes me 50.6% dhe shkonte 100% te rastet më të rënda dhe 83% për rastet që kërkonin hospitalizim. Qëllimi i vaksinave është ulja e vdekshmërisë dhe shtrimeve në spitale. Një gjë e tillë lidhet me parandalimin e përhapjes”.

Përveç vendit prodhues dhe Turqisë, nga e cila do ta sigurojmë dhe ne, vendet që po e përdorin janë periferike dhe deri më tani “Corovax” nuk ka zgjuar interesin e asnjë shteti të madh. Tajlanda, Filipinet, Meksika, Brazili, Azerbajxhani e të tjera si këto i kanë dhënë “OK”, me gjasë, në pamundësi për të siguruar të tjera.

MARRËVESHJA

Përmes një vendimi të miratuar të martën në Kuvend dhe të publikuar menjëherë në Fletoren Zyrtare, vendi ynë bëri kontratën e parë me vaksina përtej BE-së. Ajo është hartuar në të njëjtën mënyrë si me vaksinat nga kompania “Pfizer”, pasi është sanksionuar ruajtja e sekretit tregtar, pa bërë publike të dhëna mbi sasinë dhe çmimin me të cilin është blerë. “Të gjitha institucionet e përfshira në dhënien e mendimit, të miratimit apo që janë pjesë e procesit kanë detyrimin të mos bëjnë publike marrëveshjen bashkëlidhur këtij akti normativ”, nënvizohet në akt. Gjithë çfarë dihet është që barra financiare do të përballohet përmes fondit rezervë të shtetit.

Kujtojmë që në gjysmën e këtij muaji qeveria ndryshoi aktin normativ, duke u hapur derën edhe vaksinave që nuk janë të certifikuara nga EMA apo FDA-ja amerikane. Kushti i vetëm që vendosi ishte certifikimi nga trupa certifikuese në vendin e prodhimit. Ministrja e shëndetësisë dhe ai për rindërtimin u autorizuan për zhvillimin e negociatave me shtetet që prodhojnë vaksina, duke mos përjashtuar askënd. Kjo bëri që Shqipëria të futet në bisedime edhe me ato shtete që kreu i qeverisë, Edi Rama, më herët i kishte përjashtuar si mundësi, Rusinë dhe Kinën.

Pakkush e ka harruar reagimin e Kryeministrit ndaj ftesës së ambasadorit rus në Shqipëri për të blerë “Sputnik V”. “Për një shtet serioz, është e papërshtatshme të bëjë provokime të tilla. Kur them provokim, nuk i paraprij ndonjë demarshi pranë shtetit rus. Nuk është mirë që Rusia të bëhet qesharake nëpërmjet këtyre postimeve. Shpreh keqardhjen për këtë”, deklaroi Rama në 29 dhjetor, pa ditur se në fund të tre muajve do të firmoste vetë për t’i siguruar ato vaksina.

TEKSTI I MARRËVESHJES

1. Miratimin e tekstit të marrëveshjes ndërmjet, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ministrit të Shtetit për Rindërtimin dhe Institutit të Shëndetit Publik dhe distributorit të autorizuar “Keymen Ilaç Sanayi ve ticaret” (A.ª.), për furnizimin e Republikës së Shqipërisë me vaksinën e inaktivizuar kundër COVID-19 (Vero Cell) “Coronavac”, të krijuar nga “Sinovac Life Science Co Ltd.” dhe të prodhuar në Republikën Popullore të Kinës, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij akti normativ.

2. Marrëveshja për furnizimin ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ministrit të Shtetit për Rindërtimin dhe Institutit të Shëndetit Publik dhe “Keymen Ilaç Sanayi ve ticaret (A.ª.), për shkak të sekretit tregtar dhe kërkesës së shprehur në marrëveshje nga “Keymen Ilaç Sanayi ve ticaret”, nuk do të publikohet në asnjë website i institucioneve apo në Fletoren Zyrtare.

3. Të gjitha institucionet e përfshira në dhënien e mendimit, të miratimit apo që janë pjesë e procesit kanë detyrimin të mos bëjnë publike marrëveshjen bashkëlidhur këtij akti normativ apo pjesë të saj.

4. Detyrimet e organeve shtetërore dhe përjashtimet nga detyrimet për furnizimin e vaksinës anti-Covid, të përcaktuara në aktin normativ nr. 1, datë 10.1.2021, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, janë të njëjta edhe për furnizimin e vaksinës së inaktivizuar kundër COVID-19 (Vero Cell), “Coronavac” të krijuar nga “Sinovac Life Science Co Ltd.” dhe të prodhuar në Republikën Popullore të Kinës, të furnizuar për Shqipërinë nga “Keymen Ilaç Sanayi ve ticaret” (A.ª.), sipas kushteve të tekstit të marrëveshjes bashkëlidhur këtij akti normativ.

Neni 2

Efektet financiare që rrjedhin nga marrëveshja bashkëlidhur këtij akti normativ përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për vitin 2021

“Për 4 vite në pushtet shpiku idenë e kombit kosovar”

Kreshnik Spahiu: Kurti harroi premtimet

"U kthye në një sebep që shoqëria të futej në përleshje se kush e ka fajin"

Vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani, kryeministri Rama: S’mund të parandalohet të gjitha ngjarjet

Kryqëzimet kryesore në Tiranë që do të bllokohen

Protesta e PD-së më 23 Dhjetor, zbardhet plani i opozitës!

Arabia saudite paralajmëroi autoritetet gjermane për 50-vjeçarin, por…

Mjeku përplasi turmën e njerëzve në tregun e Krishtlindjes, shkon në 4 numri i viktimave!

Aktiviteti do të ushtrohet në zona të caktuara që do të jepen me qira!

Nga 2025 lejohet gjuetia, çfarë parashikon vendimi!