Në 5 ditët e para të nisjes ë vaksinimit me AstraZeneca, kanë marrë dozën e parë 4300 mësues. Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu deklaroi gjatë një inspektimi në shkollën “Edith Durham” në Shkodër se janë mbi 33 mijë doza të kryera vaksinimi deri tani dhe procesi po shkon shumë mirë.
“Kemi vijuar vaksinimin e mësuesve. Në të gjithë vendin janë vaksinuar 4300 mësues. Vaksinimi vazhdon. Janë mbi 33 mijë doza të kryera vaksinimi deri tani. Procesi po shkon shumë mirë”, tha ministrja.
Ndërkohë mjekja Silva Bino inkurajoi mësuesit të bëjnë vaksinën, duke i kërkuar të mos shqetësohen në rast se do të kenë temperaturë. “Do kesh pak temperaturë. Edhe unë kam pasur problem pas Pfizerit. Nuk ka asnjë problem. Nuk kemi parë asnjë problem në vendin tonë”, deklaroi Bino.
Ndalur tek zërat skeptikë në lidhje me AstraZenecan pas vendimit të disa qeverive europiane për ta ndaluar, Rama u shpreh se nuk duhet të ketë asnjë shqetësim pasi bëhet fjalë për një seri tjetër dhe jo atë që ka mbërritur në Shqipëri.
“Duhet me u ruajtur edhe pas vaksinës sepse je i infektueshëm deri pas dy javësh. Mos kini asnjë shqetësim. Me sa ne po shohim edhe vendet që e pezulluan, me shumë gjasë do e fillojnë prapë. Bëhet fjalë për një seri tjetër jo atë që kemi marrë ne. Kanë dalë të dhëna për kartat e parandalimit të rritjes së popullsisë. Ka dalë të dhëna për rastet e rralla”, tha Rama.
Ndërkohë përfaqësuesja që ndjek vaksinimin në Shkodër u shpreh se disa mësues kanë hezituar, ndërsa ka pasur edhe nga ata që nuk pranojnë ta bëjnë pasi e kanë kaluar COVID-19.
“Nga 1250 mësues, deri më sot janë vaksinuar 200. Disa janë duke pritur edhe miratimin nga Ministria e Shëndetësisë. Disa të tjerë po bëjnë disa analiza për të qenë më të sigurt. Një pjesë nuk e kanë bërë sepse e kanë kaluar COVID. Nga 45 mësuesit që janë vaksinuar në dy ditët e para asnjë nuk ka pasur efekte”, tha ajo.