MENU
klinika

U tha se përgjigjja do të vinte nga Gjermania, por erdhi…

Shqipëria konfirmon pas 6 javësh praninë e “virusit anglez”

12.03.2021 - 10:06

Qeverisë iu deshën 6 javë për të konfirmuar praninë e virusit anglez dhe përgjigjja erdhi, jo nga Gjermania dhe Britania, ku u tha që ishin dërguar mostrat, por nga Turqia.

VIRUSI ANGLEZ

Dyshimet e para për qarkullimin e varianteve të reja të COVID-19 nisën në fund të muajit shkurt, kjo edhe për shkak të shtimit të ndjeshëm të rasteve të infeksionit si edhe fataliteteve. Në fillim të shkurtit, shefja e Departamentit të Epidemiologjisë në ISHP, Silva Bino, tha se ishin dërguar mostrat e para në Gjermani.

Por një javë më vonë, kur në mediat gjermane qarkulloi lajmi se një 22-vjeçare e sapokthyer nga Shqipëria ishte identifikuar me variantin e ri, Komiteti ndryshoi destinacionin për mostrat.

Kështu, në datën 10 shkurt u tha se janë dërguar 50 mostra në Britaninë e Madhe. E njëjta gjë u pohua edhe nga drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico, e cila përforcoi edhe më tej dyshimet, kur tha se me apo pa konfirmimin e Anglisë ne kemi dyshimet tonë. E, në fakt, historia e “dyshimeve të arsyeshme” do të vazhdonte për disa javë me radhë. Vetëm dje, në mbledhjen e radhës së Komitetit Teknik të Ekspertëve, ministrja Manastirliu konfirmoi praninë e virusit anglez, por ajo që nuk mund të kalonte pa rënë në sy ishte fakti që përgjigjja nuk kishte ardhur nga Gjermania e as nga Britania, por nga Turqia.

“Nga rezultatet e verifikimeve të kampioneve të marra në janar-shkurt në laboratorin e virologjisë, ku u krye analiza në bashkëpunim me ekspertët e Shëndetit Publik të Ankarasë në Turqi, rezultoi se ekziston varianti britanik i COVID-19, i cili qarkullon edhe në 70 vende të tjera”, u shpreh Manastirliu.

Duke folur për mutacionin britanik të COVID-19, doktoreshë Silva Bino tha: “Janë identifikuar mutacione të SarsCov-2, këto janë analizuar në mostra të cilat kanë pasur një dyshim epidemiologjik. Pra, kanë qenë persona, të cilët kanë pasur kontakt me persona ku është evidentuar mutacioni, apo kanë qenë persona që kanë udhëtuar jashtë shtetit dhe kanë ardhur në Shqipëri, persona të riinfektuar, që sigurisht janë konfirmuar me metodën PCR dhe nga këto mostra të dyshuara që kemi analizuar, në 70 % të tyre ka rezultuar mutacioni B117, i cili është variant britanik.

MASAT NË STANJACION

Por, pavarësisht shkallës së lartë të infeksionit dhe shtimit të ndjeshëm të fataliteteve, Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi të mos ndryshojë asgjë në drejtim të planit të masave, duke paralajmëruar madje lehtësim të tyre në ditët në vijim.

Kjo do të thotë që edhe për dy javë të tjera do të vijohet me kufizimet aktuale. Për disa qarqe, mësimi në gjimnaze do të vijojë të kryhet online, ndërsa ora policore fillon pasi akrepat të kenë shënuar 20:00. Ndalimi i qarkullimit vlen jo vetëm për automjetet, por edhe qytetarët si edhe baret dhe restorantet që po ashtu detyrohen të mbyllin aktivitetin pas kësaj ore. Gjatë mbledhjes së djeshme, drejtoresha e ISHP-së, Albana Fico, tha se vërehen ndryshime në incidencën 2-javore, e cila ka pësuar një rënie, në 405 për 100 mijë banorë nga 515 që ishte.

“Mesatarja e rasteve ditore ka rënë në 819 nga 899. Rastet aktive kanë pësuar një ulje të lehtë, por që duhet të vijojë të monitorohet”, tha Fico. Por rënia e shkallës së infeksionit, më shumë sesa masave, i atribuohet rënies së numrit të testimeve. Lidhur me përhapjen e infeksionit në radhët e fëmijëve, shefja e Pediatrisë Infektive, Gjeorgjina Kuli, tha se nga fillimi i pandemisë kanë rezultuar të infektuar rreth 3500 raste pediatrike. “Aktualisht, të regjistruar që nga fillimi i epidemisë kemi rreth 3500 raste pediatrike pozitive, prej të cilëve vetëm 5% kanë kërkuar ndihmë spitalore, pra, që kanë paraqitur komplikacione të aparatit respirator apo komplikacione”, tha Kuli.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Negociatat dhe kushti i vetëm që duhet të plotësojnë

Shqipëria drejt vaksinave ruse dhe kineze


“Për 4 vite në pushtet shpiku idenë e kombit kosovar”

Kreshnik Spahiu: Kurti harroi premtimet

"U kthye në një sebep që shoqëria të futej në përleshje se kush e ka fajin"

Vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani, kryeministri Rama: S’mund të parandalohet të gjitha ngjarjet

Kryqëzimet kryesore në Tiranë që do të bllokohen

Protesta e PD-së më 23 Dhjetor, zbardhet plani i opozitës!

Arabia saudite paralajmëroi autoritetet gjermane për 50-vjeçarin, por…

Mjeku përplasi turmën e njerëzve në tregun e Krishtlindjes, shkon në 4 numri i viktimave!

Aktiviteti do të ushtrohet në zona të caktuara që do të jepen me qira!

Nga 2025 lejohet gjuetia, çfarë parashikon vendimi!