Shtyhet seanca për fletën e votimit të 25 prillit, Celibashi: Tërheq aktin, propozimin konkret do e sjell brenda 24 orëve
Pas debateve të shumta në Komisionerin Rregullator, është vendosur mos miratohet sot fleta e votimit për 25 prillin.
Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi ka tërhequr aktin e tij dhe ka garantuar se në 24 orët e ardhshme do të sjellë një propozim konkret të përmbajtjes së fletës së votimit.
Në debatet e sotme nuk pati konsensus për fletën, teksa iu kërkua Celibashit të merrte kompetencat për të bërë propozimin edhe pse kishte sjellë 3 variante të fletës së votimit.
Pritet që nesër Celibashi të sjellë propozimin konkret dhe të diskutohet apo të hidhet në votim.
‘’E risqaroj, që aktin që kam paraqitur po e tërheq për ta sjellë me një propozim konkret me përmbajtjen e fletës së votimit. Nuk i përjashton gjithë variantet dhe opsionet që Komisioneri veçmas apo me të tjerë që ka bërë për përmbajtjen. Për ta riparaqitur në këtë mënyrë, do t’iu japë kohë edhe për të bërë diskutimin e kompetencës. Dhe të kërkoni që ky akt, një paraqitje jo më vonë se në 24 orë të vendosni dhe në mënyrë përfundimtare. ‘’- tha Celibashi.