Deri në datën 25 mars do të vijojnë të jenë të ndaluara grumbullimet me më shumë se 10 persona.
Me anë të një urdhri të posaçëm, pas kërkesës së bërë nga Gjykata Kushtetuese, Ministrja e Shëndetësisë, Manastirliu, ka përcaktuar shtyrjen e masave kufizuese të paktën deri në fund të këtij muaji.
“Në urdhrin nr. 633, datë 17.11.2020 ‘Për ndalimin e grumbullimeve në vende të mbyllura apo të hapura’, bëhet ndryshimi si vijon: Në pikën 1 të urdhrit, togfjalëshi ‘deri në një urdhër të dytë’ zëvendësohet me togfjalëshin ‘deri në datën 25.3.2021′”, thuhet në dokument.
RIVLERËSIMI
Në datën 25 Komiteti Teknik pritet të mblidhet sërish për të rivlerësuar masat, pra nëse do të vijohet me të njëjtat kufizime apo do të ketë ndryshime.
Në mbledhjen e fundit u la të kuptohet se nëse shkalla e infeksionit do të vijonte në rënie, atëherë do të kishte lehtësim.
Por këto lehtësira të paralajmëruara përkojnë edhe me zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.
Edhe pse shkalla e infeksionit ka pësuar një rënie të lehtë, ajo çka mbetet shqetësuese janë shifrat e larta të fataliteteve, të cilat kulmuan një muaj më parë e vazhdojnë të jenë të larta edhe përgjatë këtij muaji.
MASAT
Por cilat janë kufizimet aktuale?
Në mbledhjen e fundit Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi të mos ndryshojë asgjë në drejtim të planit të masave. Kjo do të thotë që edhe për disa ditë do të vijohet me të njëjtat masa.
Për disa qarqe, mësimi në gjimnaze do të vijojë të kryhet online, ndërsa ora policore fillon pasi akrepat të kenë shënuar 20:00.
Ndalimi i qarkullimit vlen jo vetëm për automjetet, por edhe qytetarët, si edhe baret dhe restorantet, që po ashtu detyrohen të mbyllin aktivitetin pas kësaj ore.