Lëvizja Socialiste për Integrim ka dorëzuar dje në KQZ listën kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 25 prillit.
Gjatë prezantimit të kandidatëve, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi tha se kjo listë është garanci për një garë të shkëlqyer dhe fituese.
Kryemadhi u shpreh se skuadra e saj do të përfaqësojë LSI-në dhe do të sjellë ndryshimin e Shqipërisë pasi të marrë besimin e shqiptarëve më 25 prill. Kryemadhi e ka konsideruar listën e LSI-së, si një grup të bashkuar e gërshetuar profesionesh, moshe e dëshirë për të ndryshuar.
“Jam shumë e lumtur, që në këtë ditë të gruas, unë të dorëzoj pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, listat e kandidatëve që do të përfaqësojnë Lëvizjen Socialiste për Integrim në Parlamentin e Ardhshëm, i cili do të dalë nga zgjedhjet e 25 prillit.
Jam shumë e lumtur që ky proces ishte një proces shumë i shëndetshëm, shumë transparent dhe që krijoji një moment bashkimi të jashtëzakonshëm vlerash shoqërore, profesionale dhe morale. Kjo skuadër e madhe që do të përfaqësojë LSI-në do të drejtojë shqiptaret drejt ndryshimit. Ne presim përmbysjen e një klike antiqeveritare, antishtet dhe antivlera. Këta të rinj dhe të reja, burra dhe gra plot vullnet e të palodhur, janë garanci për një garë fituese dhe të shkëlqyer si dhe për një qeverisje të mirë dhe të drejtë për qytetarët dhe për vendin”, tha ndër të tjera Kryemadhi.
Kryetarja e LSI-së vuri në dukje se ka ardhur koha që shqiptarët të përcaktojnë me votën e tyre, fatin e tyre dhe të vendit për të ardhmen. Sipas Kryemadhit, kjo është lista më e mirë me të cilën do të kërkohet besimi i shqiptarëve më 25 prill.
Ajo që bie në sy është kandidimi i kryetares Monika Kryemadhi në 3 qarqe, Tiranë, Elbasan dhe Fier, ku renditet e para. Ndërkohë, në listën e prezantuar dje, bie në sy edhe kandidimi i ish-këshilltarit të Presidentit Ilir Meta dhe ish-kreu i SHISH-it, Bahri Shaqiri. Shaqiri do të kandidojë i dyti në listën e qarkun të Durrësit.
Qarku i Beratit kryesohet nga kandidati Ardit Çela, ndërsa Durrësi drejtohet nga kandidatja Elona Guri.
Nga ana tjetër, Lefter Maliqi, i cili kaloi në listat e LSI-së renditet i shtati në qarkun e Beratit. Ndërsa ishkreu i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi, do të jetë i katërti në listën e Durrësit. Në qarkun e Korçës i pari në Listën e LSI-së është konfirmuar Edrit Brahimllari, ndërsa në Vlorë kryesuesi i listës do jetë Luan Rama. Qarku më i rëndësishëm në Veri, Shkodra i është besuar biznesmenit Agron Çela. Me këtë listë të kandidatëve, LSI-ja tejkalon kuotën gjinore për përfaqësimin e gruas.