Shqipëria merr sot 38.400 vaksina te kompanise “Astra Zeneca” dhe do te aplikohen te mësuesit. Por disa vende europiane kanë pezulluar përdorimin e dozave të “Astra Zeneca”-s, si një masë paraprake pas shqetësimeve në rritje se ato shkaktojnë mpiksje të gjakut. Ishin autoritetet shëndetësore në Danimarkë ato që ndaluan së fundmi përdorimin e saj përkohësisht, ndërkohë që po hetojnë rastet.
Danimarka ndjek shembullin e disa vendeve të tjera europiane që pezulluan përdorimin e një ngarkese specifike të vaksinës “Astra Zeneca”. Ministri danez i Shëndetësisë, Magnus Heunicke, tha se autoritetet po shqyrtojnë shenjat e efekteve anësore serioze në formën e mpiksjes fatale të gjakut.
Ndërsa Agjencia e Barnave e këtij shteti konfirmoi hetimin në një deklaratë dhe shtoi se është raportuar një jetë e humbur pas vaksinimit. “Nuk e dimë ende nëse mpiksjet e gjakut dhe vdekja në Danimarkë janë për shkak të vaksinës, por duhet të bëjmë një ekzaminim të gjerë për siguri”, u shpreh Tanja Erichsen nga Agjencia e Barnave në Danimarkë.
Gjatë kësaj jave, edhe Austria pezulloi përdorimin e një dërgese specifike të vaksinës së “Astra Zeneca”-s, të emërtuar ABV5300, pasi një person u diagnostikua me trombozë të shumëfishtë. Të njëjtin vendim mori edhe Estonia, Lituania, Luksemburgu dhe Letonia. Agjencia Europiane e Barnave(EMA)bën me dije se deri më tani janë shpërndarë 1 milion doza të dërgesës të dyshuar si problematike për në 17 shtete të Bashkimit Europian. Pasditen e vonë të së mërkurës, EMA deklaroi zyrtarisht se vaksina mund të përdoret, duke nënvizuar se përfitimet e vaksinës tejkalojnë rreziqet që ajo sjell.
Sipas tyre, bëhet fjalë vetëm për 30 raste të ngjarjeve trombembolike në mesin e 5 milionë njerëzve. “Vaksina mund të vazhdojë të administrohet, ndërsa hetimi i rasteve vijon paralelisht me të. Aktualisht, nuk ka asnjë indikacion që mpiksjet e gjakut të jenë shkaktuar nga vaksinimi”.