MENU
klinika

"Corriere della Sera"

U largua nga Shqipëria, 30 vjet më parë: sot, mjek antikovid

05.03.2021 - 16:31

        Ai ishte ndër të parët që arriti në Itali, me anije, më 7 mars të vitit 1991 dhe nuk është shpërngulur kurrë nga qyteti që e mirëpriti.

Pjetrin Gjoni është sot mjek i “118-ës” në Itali dhe thotë se, tashmë “unë hyj në mijëra familje italiane, sot po i kthej të gjitha ato që më ka dhënë Italia”.

Gjoni është sot 65 vjeç dhe punon si mjek në ballë të luftës kundër kovidit, në Brindizin që e mirëpriti.

Mjek në Shqipëri

“Corriere della Sera” shkruan historinë e mjekut, i cili, në kohën kur u largua ishte vetëm 34 vjeç, pediatër në Shqipëri dhe drejtor i një spitali rajonal.

“Unë isha 34 vjeç dhe mjek një pediatër, i emëruar drejtor i një spitali të vogël rural. Modeli komunist, nuk funksiononte më dhe shumë gjëra duheshin ndryshuar. Në fakt, shumë në vendin tim menduan se pak do të ndryshonte, klasa e vjetër e pushtetit donte të mbante vendin pavarësisht nga fakti se, njerëzit krijuan bazat për një ndryshim total. Ne e gjetëm veten në prag të një lufte civile, ku zgjidhja e vetme përfaqësohej nga ikja”, – ka rrëfyer ai.

Më 7 mars 1991, saktësisht 30 vjet më parë, Italia bëri lëvizje dramatike për herë të parë, me fenomenin e emigracionit. Brenda 24 orësh, 27,000 njerëz që largoheshin nga regjimi komunist, mbërritën në portin e Brindizit.

Mekanik dhe student

“Corriere” po ashtu, shkruan se nuk ishte e lehtë fillimisht, për mjekun, pasi Italia nuk e njohu gradën që Gjoni, kishte marrë në Shqipëri.

“Më takonte mua, të provoja se kush isha gjithashtu, sepse nuk mund të kthehesha. Në ato vite kam punuar në fusha, kam punuar si mekanik dhe si ndihmës për të moshuarit. Ishte mënyra për të paguar studimet, sepse ndërkohë isha regjistruar sërish në universitet. Më 17 mars 1997, u diplomova në Bari, me një tezë në virologji. Gruaja ime u bashkua me mua në Itali dhe sot ne kemi një djalë, ndërsa unë jam një mjek nga “118-ta” në Brindizi, një strukturë e ekselencës absolute”, – tregon më tej ai.

I pyetur sesi është jeta e tij sot, në qytetin që e mirëpriti, Gjoni, me humor tregon: “Gruaja ime, më thotë me shaka, se jam më i njohur se kryetari i bashkisë… kaq shumë njerëz më njohin e më përshëndesin në rrugë. Puna më mbush shumë kohën. Vitet e fundit, kam hyrë në shtëpitë e mijëra familjeve në Brindizi, kam parë vuajtjet e tyre, i kam ndihmuar. Në këto muaj të kovidit, e gjithë kjo veprimtari është shtuar, por lidhja është bërë më e afërt. Edhe unë u sëmura. Por sot mund ta vazhdoj punën, me më shumë besim. Për mua është mënyrë falënderimi, për ata që më ndihmuan shumë vite më parë”.

I huaj në Shqipëri

Por, sot që Shqipëria ka ndryshuar thellësisht, – shkruan “Corriere”, – mjeku Gjoni, thotë se e ngatërrojnë me ndonjë të huaj.

“Kur të kthehem në vendin tim, nuk ka më asnjë nga miqtë. Shumë kanë shkuar në Kanada, shumë në Gjermani. Ndodh shpesh, që ata të më ngatërrojnë për të huaj. Tashmë, besoj se Italia dhe Brindizi janë shtëpia ime. Do t’ju tregoj më shumë. Sot kam një djalë që jeton në Piza, është inxhinier kompjuterik dhe shkoj e shoh shpesh. Por gjatë kthimit, kur fillon të më rishfaqet peizazhi i Pulias, ullinjtë, fshatrat, e ndiej makinën sikur po fluturon, për të shkuar më shpejt në Brindizi… Po, kjo është tani shtëpia ime”, – thotë mjeku, Pjetrin Gjoni.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


4800 azilkërkues për tremujorin III

Eksodi nga Shqipëria vazhdon

Ekspozitë e fëmijëve kosovarë

“Të mbijetosh përmes Ngjyrash”


“Për 4 vite në pushtet shpiku idenë e kombit kosovar”

Kreshnik Spahiu: Kurti harroi premtimet

"U kthye në një sebep që shoqëria të futej në përleshje se kush e ka fajin"

Vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani, kryeministri Rama: S’mund të parandalohet të gjitha ngjarjet

Kryqëzimet kryesore në Tiranë që do të bllokohen

Protesta e PD-së më 23 Dhjetor, zbardhet plani i opozitës!

Arabia saudite paralajmëroi autoritetet gjermane për 50-vjeçarin, por…

Mjeku përplasi turmën e njerëzve në tregun e Krishtlindjes, shkon në 4 numri i viktimave!

Aktiviteti do të ushtrohet në zona të caktuara që do të jepen me qira!

Nga 2025 lejohet gjuetia, çfarë parashikon vendimi!