Socialistët duket se këtë herë duan të çojnë deri në fund atë që nisën muaj më parë, shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës Ilir Meta. Nëse muaj më parë gjakërat “u zbutën” dhe mazhoranca u mjaftua vetëm me këshillim për Metën, këtë herë janë të bindur për shkarkim.
Edi Rama do të jetë vetë të hënën në krye të grupit socialist për të diskutuar rreth mundësive për shkarkimin e Metës nga posti i Presidentit.
Gazetari i TCH Muhamed Veliu bën me dije se në PS do të diskutojnë të gjitha mundësitë reale që kanë për të shkarkuar Metën.
Ata do të kërkojnë “rrugë alternative” për të shkarkuar kreun e shtetit, pasi kanë një problem direkt ligjor që i pengon.
Ligji për komisionet hetimore dhe ato të posaçme e ndalon krijimin e tyre 4 muaj përpara përfundimit të mandatit aktual. Në të tilla kushte koha për të ngritur një komision hetimor nuk është në favorin e socialistëve.
Dje, Taulant Balla tha se me të përfunduar numërimi i votave, socialistët do “ta ndjerrin në pension Ilir Metën”. Ndërkohë, kreu i shtetit iu përgjigj duke i kërcënuar se e kishte gati dekretin për “mbrojtjen e Republikës”.