Ministrja e Arsimit, Evis Kushi ka njoftuar se që nga fillimi javës tjetër të gjithë nxënësit e arsimit parauniversitar, që përfshin klasën e parë në të 12 do të rikthehen në shkolla.
“Më në fund procesi mësimor nga klasa e parë në të 12 do të zhvillohet në shkollë, çdo ditë të javës, ndërkohë që të gjithë institucionet arsimore do jenë gati që në fillim të javës tjetër”, tha ministrja.
Ministrja Kushi thekson se: “njësoj si në fillim të këtij viti shkollor, do të lihet në fleksibilitetin e shkollave për të hartuar specifikisht grafikun mbi zhvillimin e procesit mësimor sipas skenarit të parë: qoftë ai me një, dy apo me shumë turne, në varësi të numrit të nxënësve apo kushteve të shkollës”.
Ndërsa shton se kanali i dedikuar “RTSH Shkolla” dhe platforma online “Akademi.al” do të vazhdojnë të jenë në dispozicion të nxënësve dhe mësuesve për të mbështetur procesin mësimor, Ministrja Kushi cilëson se MASR do të jetë maksimalisht e angazhuar për të qenë pranë tyre në çdo moment me qëllim ndihmesën në çdo rrethanë e vështirësi që mund të paraqitet.