MENU
klinika

Pse u vendos kjo një muaj para mbylljes së vitit?

Rriten shifrat e Covid-19, ekspertët kthejnë të gjithë nxënësit në shkolla!

30.04.2021 - 08:50

Në muajin e fundit të vitit shkollor, Komiteti i Ekspertëve ka vendosur të rikthejë në banka të gjithë nxënësit nga klasa e parë në të dymbëdhjetën.

Nga mësimi i alternuar midis shtëpisë dhe shkollës sipas skenarit të dytë, përshtatur një situate epidemiologjike të rënduar, shkollat 9-vjeçare e të mesme kalojnë nga e marta e javës që vjen në të parin, referuar shifrave të qëndrueshme, siç thonë ekspertët. Nuk ka vonuar shumë që ministrja e Arsimit, Evis Kushi, t’i përgjigjet pozitivisht rekomandimit të komitetit, duke shprehur gatishmërinë për hapjen e shkollave që në fillim të javës që vjen.

TREGUESIT

Në analizën që iu është bërë treguesve kryesorë të CCovid: rasteve të reja, hospitalizimeve, kujdesit intensiv apo jetët e humbura në javët e fundit, ekspertët konkludojnë se kemi të bëjmë me një situatë stabël. Por, nga ana tjetër, duke shprehur rezerva për një trend në rritje të lehtë të numrit të infektimeve. “Situata në përgjithësi ka qenë e qëndrueshme, pasi ka pasur një përmirësim të indikatorëve, me përjashtim të dy ditëve të fundit ku është vënë re një shtim i lehtë i numrit të rasteve të reja ditore”, deklaroi kryetarja e komitetit të ekspertëve, Mira Rakacolli, teksa shton shpresën që situata të mos rëndohet më tej. Por, nuk janë rastet e reja i vetmi shqetësim, por edhe i atyre që kanë nevojë për asistencë mjekësore. “Ka një rritje të lehtë të vizitave në banesë. Në qoftë se në 18 prill ishim diku te 290- 300, sot jemi në shifrat e 350- 360 thirrjeve. Nga këto, numri i vizitave ka shkuar në 40-45, nga 25-30 Covid që ishin më parë. Edhe shtrimet në spital, përkthyer në numra, nga 10-15 kanë arritur në nivelet e 20-22”, nënvizoi kreu i Urgjencës Mjekësore, Skënder Brataj, pa dhënë argument shtesë mbi arsyet që po çojnë drejt këtij trendi. Pavarësisht këtij lirimi, komiteti i ekspertëve tërheq vëmendjen për respektimin e masave, pasi lufta me Covid19 nuk ka përfunduar ende.

MËSIMI SIPAS SKENARIT I

Skenari i parë i mësimit eliminon mësimin nga ekranet, por jo turnet. Për të respektuar rregullat e diktuara nga pandemia, nxënësit do të mësojnë me turne. Shkollave do t’u duhet të hapin letrat me oraret e hartuara që në fillim të vitit, që lejon jo më shumë se 15 nxënës në një klasë. “Do t’u lihet fleksibilitet shkollave për të hartuar specifikisht grafikun mbi zhvillimin e procesit mësimor sipas skenarit të parë: qoftë ai me një, dy apo më shumë turne, në varësi të numrit të nxënësve apo kushteve të shkollës”, tha ministrja e Arsimit, Evis Kushi, në deklaratën pas vendimmarrjes duke shtuar se platforma “akademi.al” apo “RTSH shkolla” do të vijojnë të jenë në mbështetje të nxënësve. Ndonëse kanë qenë shinat kryesore, mbi të cilat është zhvilluar mësimi në rang vendi, këto të fundit kanë sjellë jo pak shqetësim në radhët e mësuesve, prindërve e nxënësve, të cilët në pamundësi të teksteve të unifikuara, iu është dashur të përshtaten me temat e trajtuara ndryshe sipas shtëpive botuese. Gjë që ka krijuar jo pak vështirësi edhe për rakordimin e temave në klasë me ato në kanalet e ndjekura nga shtëpia. Për maturantët, ka qenë edhe më e ndërlikuar. “Kam shumë besim se ju do të vazhdoni të punoni intensivisht që maturantët tanë të dalin faqebardhë. Ju lutem, t’i shfrytëzoni këto javë që kanë mbetur për të identifikuar dhe plotësuar të gjitha mangësitë që mund të jenë krijuar gjatë mësimit online”. Pas një muaji, nis sezoni i provimeve.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN