Ambasadori i BE, Luigi Soreca ka reaguar pas sekuestros së pasurive të ish kreut të Gjykatës Kushtetuese dhe dy ish gjyqtarëve të Kushtetueses.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, diplomati europian thekson se SPAK po ndjek detyrat për të luftuar korrupsionin. Ndërsa shprehet se reforma në drejtësi vazhdon.
“Lajm i mirë sot që GJKKO ka pranuar kërkesën e SPAK për të sekuestruar pasuritë e 3 ish-gjyqtarëve të Kushtetueses dhe Gjykatës së Lartë të shkarkuar nga vettingu. Një hap tjetër, që tregon se SPAK është duke ndjekur detyrat e tij për të luftuar korrupsionin. # Reforma e Drejtësisë vazhdon.”– shkruan Soreca.
Me heret reagoi edhe Ambasadorja amerikane, e cila tha se “Reforma në Drejtësi nuk do të jetë e shpejtë, e lehtë ose e përsosur – por po ecën përpara, hap pas hapi”.
Kujtojmë që SPAK vendosi të sekuestrohen pasuritë e ish kreut të Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja, pasuritë e ish-gjyqtarit të Gjykatës se Lartë, Shkëlzen Selimi, pasuritë e ish gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, Fatos Lulo.