Ambasada Britanike në Shqipëri të enjten pasdite reagoi për vendimin e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për të gjykuar ish-Kryeprokurorin Adriatik Llalla me dy vite burg.
Përmes një shënimi të shkurtër në faqen zyrtare në Facebook, Ambasada thekson se një vendim i tillë tregon se atje ku ka vullnet, reformat japin rezultat.
“Mirëpresim vendimin e sotëm të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Tregon se, atje ku ka vullnet, reformat japin rezultat. Kur një sektor i drejtësisë funksionon siç duhet, askush nuk është mbi ligjin”, shkruan ajo.
Po ashtu, kujtojmë se Llalla u shpall fajtor për veprat penale “deklarim të rremë” dhe “fshehje pasurie”.
Përveç dënimit me burg, GJKKO e ka dënuar Llallën edhe me 5 vite përjashtim nga mbajtja e posteve publike. Po ashtu Llallës i është vendosur sekuestro edhe mbi pasurinë e ish-zyrtarit të lartë të drejtësisë.
Bëhet fjalë për 4 sipërfaqe toke, në total 22 mijë metra katrore dhe 1 apartament në Durrës.
Ish-prokurori po gjykohet për veprën penale të fshehjes sё pasurisё. Ndërkohë, ishte vendosur dhe njё hetim pёr pastrimin e parave.
Në dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata e Posaçme vendosi për sekuestrimin e pesë pasurive të paluajtshme të ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, pas një kërkese të Prokurorisë së Posaçme.
Hetimi ndaj Llallës nisi më 15 mars 2018 në Prokurorinë e Durrësit, por më pas u kalua për kompetencë tek ish-Krimet e Rënda.
Ai thuhet se nuk ka deklaruar një shumë prej 7 mijë e 400 dollarë të shpenzuara në SHBA, një shumë për ndërtimin e një banese, si dhe shpenzime të kryera në Gjermani.
Llalla u dyshua për katër vepra penale, mes të cilave edhe “pastrim i parave” dhe “shpërdorim i detyrës”, por në përfundim të hetimit SPAK vlerësoi se ndaj tij provohej vetëm akuza e “mosdeklarimit të pasurisë”.
Pasi përfundoi mandatin e kryeprokurorit, Llalla dha dorëheqjen nga sistemi dhe nuk iu nënshtrua vetingut. Ndërsa Departamenti Amerikan i Shtetit e shpalli atë non grata, duke i ndaluar atij dhe familjes hyrjen në SHBA.