Analisti i njohur, Artur Zheji ka folur rreth aksionit të opozitës dhe ku sipas tij duhet të fokusohet ai pas rezultatit të zgjedhjeve të 25 prillit.
I ftuar në News24, Zheji thekson se opozita duhet të kthehet në Kuvend ‘si Çeçoja”, ndërkohë që beteja ligjore duhet të ketë si qëllim përmirësimin e rezultatit të zgjedhjeve dhe për të rivlerësuar votat e pavlefshme.
Për Zhejin, kryeministri Rama pritet ti marrë opozitës 3 deri në 4 deputetë. “Opozita duhet të vazhdojnë aksionin në disa korsi, nga njëra anë beteja legale për të përmirësuar rezultatin, korsia tjetër beteja ligjore për votat e pavlefshme dhe korsia tjetër është të shkojnë në Parlament si Çeçoja dhe të bëjnë balancën e duhur.
Sigurisht do ketë ndonjë rrjedhje, ne e dimë tre apo katër deputetë që tani janë të prenotuar nga Rama, por s’ka problem! Kur je në opozitë nuk ka problem se të ikin 3 apo 4 që e djegin vetën e tyre…”, ka thënë Zheji.
Analisti shton më tej se ndërkombëtarët duhet të tregojnë bonsens dhe se duhet të këmbëngulin që zgjedhjet vendore të përsëriten në vjeshtën e vitit të ardhshëm.
“Në qoftë se ndërkombëtarët kanë ndonjë bonsens për Shqipërinë, që më rezulton që kanë shumë pak, duhet t’i kërkojmë me ngulm maxhorancës që zgjedhjet lokale të behën në vjeshtë. Të paktën do kemi një plotësim të një kuadri në normalitet, duke qenë gjithsesi anormal.
Ky është faji jonë, nuk e themi dot me gojë plot që jemi në demokraci, s’e themi dot me gojën plot që kemi një regjim. Kemi një miks, një hibrid që është shumë rezistent! Hibridi është gjeja me rezistente për t’u hequr.
Pse zgjedhjet lokale në vjeshtë?
Po me 10-11% do t’i quajnë kryetarët e bashkive? Me sa veta votuan? Me 10 % të shqiptarëve! Edhe tani në këto votimet e 25 prillit, nuk është e vërtetë që ai rezultat që ka dhënë KQZ-ja. Përqindja e pjesëmarrjes mbi ata që kanë marrë pjesë janë te 70% shqiptarët, pra ata që kanë qenë në vend. Sa u penguan nga Greqia për të ardhur me sebepin e karantinës, pas 3 ditësh u zhbllokuan. Zakonisht nisem me mijëra ato autobusa, por u bllokuan.
Ata që janë emigrantë paraqiten si me të drejtë vote, ata s’janë në Shqipëri. Ata që janë në Shqipëri janë rreth 70-75%. Pastaj dhe Presidenti s’e ka qejf ta thotë këtë se shumë kritika ka për Bashën, që gabim bën, mendoj unë”, u shpreh ai.