MENU
klinika

ANDI BUSHATI

Berisha “non grata”, më keq vonë se kurrë

20.05.2021 - 09:59

ANDI BUSHATI

Të gjithë ata që janë ndjerë të ligështuar në janarin e vitit 2011, kur dëgjonin ambasadorin amerikan në Tiranë ta konsideronte Sali Berishën si një burrë shteti, pasi me urdhrin direkt të tij ishin vrarë katër demonstrues opozitarë në bulevard, me siguri që sot kanë ndjerë një sadisfaksion të vonuar moral.

Të gjithë ata që s’e kapërdinin dot se si, pas varrit masiv të Gërdecit, Kryeministri i asaj kohe bënte fushatë elektorale me fotot e vizitës së mikut të tij Xhorxh Bush në Tiranë, mund të jenë krenarë se e vërteta triumfon një ditë, edhe pse hiperfuqia, për një kohë të gjatë, ka dashur të na mbajë nën errësirën e gënjeshtrës.

Ndonëse unë jam njëri prej tyre, një nga gazetarët e shpallur puçistë pas “grushtit të shtetit”, një nga ata që pas emisioneve investigative për Gërdecin, hyri me Berishën në një nga ato konflikte që të kushtojnë vendin e punës, sot nuk kam asnjë lloj sadisfaksioni moral.

Sepse publikimi i shpalljes si non grata nga SHBA, për ish-Presidentin dhe Kryeministrin, është aq i vonuar sa nuk ka më vlerë.

Askush sot nuk mund të ma heqë dot shijen e hidhur mbetur në gojë prej aleancës së atëhershme të Sali Berishës me diplomatët amerikanë. Askush nuk do më bëjë dot të harroj se në atë kohë delet e zeza ishim ne, që sipas propagandës përbënim “celulat antiamerikane”, vetëm se thoshim të vërtetën tonë.

Askush nuk do më shlyejë dot nga kujtesa rrëfimin e drithëruar që më bënte Edi Rama, në një lokal aty pranë çadrës së grevës së urisë, për kërcënimet e vazhdueshme që merrte nga një diplomat totalisht kundër opozitës së kohës, si i famshmi Kantrimen.

Pra, atëherë kur më shumë se kurrë në betejën për një demokraci reale na duhej e vërteta, ambasada e SHBA-në Tiranë, Departamenti i Shtetit dhe emisarët e dërguar prej tij na e fshehën atë në mënyrë të turpshme.

Në atë periudhë, ky manipulim iu dha shumë municion dhe barut mbrojtësve mediatikë, kamikazëve të Berishës, të cilët përdornin kundër të vërtetave dhe fakteve vetëm një alibi: rolin e arbitrit për debatin tonë të brendshëm e kanë monopol vetëm të dërguarit e Uashingtonit.

Prandaj, sot, kur dëgjoj se me vonesë më vjen, nga përtej Atlantikut, konfirmimi se para një dekade unë dhe një grup gazetarësh që mendonim njësoj, paskëshim pasur të drejtë, më shumë se i përkëdhelur profesionalisht në sedër ,ndihem i zhgënjyer. Sepse dhe dje, ashtu sikurse sot, kam kuptuar një gjë: ne nuk kishim as më shumë mundësi informacioni, as aparat më të madh inteligjence, sa ta kuptonim të vërtetën më qartë se diplomatët amerikanë.

Ndryshimi qe se ne tentonim të ishim me faktet dhe provat reale, ndërsa ata të mbështesnin pushtetin. Prandaj, sot, kur duhej të ndieja një sadisfaksion moral, për konfirmimin e qëndrimeve të dikurshme, kam trishtimin dhe frikën, se me publikimin e aktit të sekretarit të shtetit Blinken, po hyjmë sërish në periudhën e një manipulimi të ri.

Shpallja non grata e Sali Berishës, më shumë sesa një vënie e drejtësisë së shkuar në vend, është një përkrahje e hapur për regjimin e ri që po instalohet në Tiranë.

Duke fshikulluar ish-Kryeministrin, familjarët e tij, aleatët e dikurshëm politikë, SHBA duket se po i spastron rrugën Edi Ramës dhe gjithpushtetshmërisë së tij të ngritur mbi zgjedhje të manipuluara.

Dhe ndoshta, së shpejti, nuk do të jetë çudi, që sërish blerësit e votës të konsiderohen “burra shteti”, ndërsa ata që i denoncojnë të listohen si pjesëtarë të “celulave antiamerikane”.