Forcat ushtarake amerikane dhe shqiptare pjesë e stërvitjes “Defender Europe 2021”, përveç stërvitjeve në 7 baza të ndryshme të vendit tonë, do të rezervojnë edhe ditë të hapura për publikun në disa qendra të ndryshme të Shqipërisë.
Qytetarët do të kenë mundësinë të njihen me armatime dhe aspekte të ndryshme të ushtrive shqiptare dhe amerikane, pjesë e Aleancës së madhe të NATO-s.
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi njofton se “ditët e hapura do të nisin nga Durrësi. Pikërisht më 20 maj, trupat shqiptare dhe amerikane do të jenë në sheshin “Taulantia”, në Durrës.
Ndërsa më 21 maj dita e hapur do të zhvendoset në Lungomare në Vlorë. Më 23 maj “Defender Europe 2021” do të jetë në sytë e publikut në sheshin “Nënë Tereza”, në Tiranë. Ndërsa në datën në 25 maj trupat do të jenë në Kuçovë”.
Stërvitja “Defender 2021” me pjesëmarrjen masive të trupave shqiptare dhe amerikane do të zhvillohet përgjatë të gjithë muajit maj deri në mesin e muajit qershorit.
Këtë vit 28,000 forca shumëkombëshe nga 27 vende do të zhvillojnë aksione pothuajse të njëkohshme në më shumë se 30 zona trajnimi, nga Baltiku në rajonet me rëndësi strategjike të Ballkanit dhe Detit të Zi dhe Shqipëria ofron 7 baza të ndryshme të saj, për stërvitjen më të rëndësishme.